Çipa: Fenomeni i pandëshkueshmërisë ka përfunduar, politika nuk e dominon dot më drejtësinë

Analisti Aleksandër Çipa ka folur mbi veprimtarinë e sistemit të drejtësisë në raport me politikën.
I ftuar në emisionin “Tema e Ditës” të Arbër Hitajt, analisti Çipa theksoi se politika së fundmi është bërë më e rafinuar për t’u mbrojtur nga goditjet e drejtësisë dhe konkretisht SPAK-ut.
“Mendoj që sistemi i drejtësisë duhet që të vepronte pa krijuar evazivitete juridike dhe interpretime palësh. Në rastin konkret nëse një prokuror apo një gjykatë e dinte se do të ngrihej pretendimi nga pala e shumicës në vend për të padrejtën që ka gjykata për të pezulluar zëvendëskryeministren në detyrë, nuk duhet ta bënte këtë dhe ndoshta duhej të ndiqte një rrugë tjetër, e cila nuk do të haste këtë rezistencë dhe këtë interpretim politik jo vetëm nga shumica por edhe nga zëra të tjerë të shoqërisë civile.
Në rastin e përvojës dhe kulturës politike në vendin tonë, ne e dimë fort mirë që politikanët dhe hierarkia e lartë politike e përdor politikën si një koracë mbrojtëse, ndoshta në rastet e fundit në mënyrën më të rafinuar sepse më herët kemi pasur edhe precedentë shumë herë më evidentë dhe flagrantë”, tha Çipa.
Ai vuri në dukje se fenomeni i pandëshkueshmërisë ka përfunduar në Shqipëri ndërsa theksoi se politika nuk e dominon dot më drejtësinë.
Çipa shpjegoi se SPAK mban peshën kryesore në raportin e drejtësisë me politikën.
“Duhet të ndajmë një koncept, drejtësia, jo e tëra. Unë mendoj që SPAK-u sepse ai mbajtur gjithë peshën kryesore të marrëdhënies së re të vendosur në raportin e drejtësisë me politikën.
Para kësaj, ne jetonim në atë në atë të ashtuquajturin e regjimit të pandëshkueshmërisë, sot jemi në një situatë ku shtatlartësia e politikës nuk dominon më shtatlartësinë e sistemit të drejtësisë.
Kjo ndodh për dy arsye, e para, është faktori i tretë që e ndikon atë që konsiderohet kurajë ligjore e SPAK-ut për të kryer ndëshkimin e të korruptuarve dhe për të ngritur akuza juridike ndaj personave që posedojnë dhe mbajnë pushtete”, tha Çipa.
/rtsh.al/