Berisha paralajmëron protestën e radhës më 20 shkurt: Protestuesit u provokuan, do të japim qeverisë atë që meriton

Në përfundim të protestës kombëtare të opozitës, kryedemokrati Sali Berisha u shpreh se qytetarët de fakto zotëruan qytetin, duke theksuar se protesta po vijon të rritet dhe po bëhet gjithnjë e më e fuqishme. Berisha theksoi se goditjet ndaj protestuesve paqësorë dhe përdorimi i forcës nga ana e autoriteteve nuk do të mbeten pa përgjigje.
“Banditët me uniformë, kriminelët me uniformë iu vërsulën si bisha, duke menduar se mund t’i mposhtin. Vetëpërmbajtja e protestuesve është më e fuqishme se banditizmi juaj. Vetëpërmbajtjen e tyre mos e merrni për dobësi, ajo është trimëri dhe guxim,” tha Berisha gjatë fjalës së tij.
Ai paralajmëroi se protestat do të vijojnë dhe intensifikohen, duke shtuar se 20 shkurt do të mbahet protesta e radhës.
“Më 20 shkurt është dita jonë, do t’i japim atij çka meriton,” theksoi Berisha.
Berisha ka bërë thirrje për revoltë popullore dhe për të rrëzuar qeverinë e Edi Ramës, të cilin e akuzon se po rrezikon të ardhmen e Shqipërisë dhe integrimin evropian. Ai shtoi se nuk do të lejojnë që Shqipëria të shkëputet nga procesi i integrimit evropian.
“Mos mendoni se durimi nuk ka një fund, ju garantoj se kjo vetëpërmbajtje, kjo vendosmëri e jona, nuk mund të provokohen. Provokatorët mund të marrin një mësim që meritojnë. Kryebanditi është i gatshëm të shkëpusë Shqipërinë nga integrimi evropian, por edhe ne jemi të gatshëm t’i japim një fund kësaj”, tha Berisha.
Protestat e opozitës kanë kaluar në disa faza të tensionuara, duke përfshirë hedhjen e molotovëve drejt Kryeministrisë dhe Parlamentit, pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.
/rtsh.al/