Berisha për Zvërnecin: Po preket një zonë e mbrojtur, por krimi më i madh mjedisor është aeroporti i Vlorës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar ashpër projektet e mëdha turistike dhe infrastrukturore në jug të vendit, duke e cilësuar aeroportin e Vlorës si “krimin më të shëmtuar mjedisor”.
Në një prononcim për gazetarët pas seancës parlamentare, Berisha u ndal te debati për investimin në Zvërnec dhe ndikimin e projekteve në zonat e mbrojtura, duke deklaruar se dëmi më i madh është shkaktuar nga ndërtimi i aeroportit të Vlorës.
“Po filloi fluturimi i avionëve, aty nuk fluturojnë më shpendë. Ikin! Edhe çfarë fitove? Zhduke një habitat qindra vjeçar. Zhduke një habitat nga më të mrekullueshmit natyror”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, ekspertët gjatë qeverisjes së demokratëve kishin rekomanduar që aeroporti të ndërtohej në zonën e Levanit, pasi nuk do të cenonte habitatet natyrore dhe do t’i shërbente më mirë rajonit.
Duke komentuar investimin e planifikuar në Zvërnec, Berisha tha se çdo projekt duhet të respektojë kriteret ekologjike dhe ligjore, por shtoi se nuk mund të përjashtohet çdo formë ndërtimi në zona të caktuara të mbrojtura.
Gjatë deklaratës së tij, kreu i opozitës hodhi akuza edhe ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se Shqipëria nuk ka tërhequr investitorë seriozë të huaj gjatë 13 viteve të fundit.
“Si ka mundësi që në vendin tim, për 13 vite, nuk ka asnjë investitor serioz të huaj? Rama nuk i do investitorët e huaj, Rama do vetëm të vetët”, u shpreh Berisha.
Deklaratat vijnë në një kohë kur projekti turistik në Zvërnec ka shkaktuar protesta dhe përplasje mes banorëve, aktivistëve mjedisorë dhe përfaqësuesve të kompanive të përfshira në investim.