E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha për dënimet e ish-krerëve të UÇK-së: Kaos i vërtetë ligjor, nuk di një rast të dytë

TIRANË, 17 shtator /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi në emisionin “Opinion”, vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Berisha e cilësoi vendimin të paqartë, ndërsa kritikoi procesin gjyqësor.

“Unë e ndoqa vendimin. Unë nuk di një rast të dytë, që ata që qëndruan për çlirim, liri e dinjitet dënohen njësoj apo më rëndë sesa agresorët. Këto janë dënimet më të rënda që janë dhënë për luftën në ish-Jugosllavi. Populli i Kosovës ka qenë populli më i viktimizuar, i agresuar, i shtypur”, tha Berisha.

Duke komentuar vendimin ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, të cilët u dënuan në total me 81 vite burgim, Berisha e cilësoi procesin si një kaos të vërtetë ligjor.

Berisha u ndal edhe te roli kryeministrit Edi Rama në këtë çështje.

Sipas kryedemokratit Berisha, Rama ka pasur ndikim në qëndrimet politike që çuan në krijimin e kësaj gjykate.

“Është mjaftuar me fjalën e një plake: marre! Marre! Lau duart si Pons Pilati. E bëri në mënyrë të shpëlarë, se i djeg kësula se e ndjen përgjegjësinë që ka. Të njëjtën gjë bëri në Këshillin e Europës”, tha ai.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›