E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia shtyn deri më 25 shtator afatin e aplikimeve për Kolegjin Profesional

TIRANË, 17 shtator/ATSH/ Policia e Shtetit ka shtyrë me një javë afatin e aplikimeve për Kolegjin Profesional të Policisë për Patrullë të Përgjithshme, duke e çuar datën e fundit nga 18 në 25 shtator 2026.

Vendimi është marrë për shkak të interesit të lartë të të rinjve dhe të rejave për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit, si dhe për t’u dhënë mundësi aplikantëve të plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm për aplikim.

Policia e Shtetit njofton se shtyrja e afatit do t’u mundësojë të interesuarve të përfundojnë dokumentacionin dhe të aplikojnë për të vijuar më pas fazat e konkurrimit për Patrullë të Përgjithshme.

Institucioni u ka bërë thirrje të interesuarve të shfrytëzojnë afatin e ri të aplikimit dhe ka falënderuar të gjithë ata që kanë shprehur interes për t’iu bashkuar Policisë së Shtetit dhe për të kontribuar në shërbim të qytetarëve.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›