Berisha thirrje diasporës për protesta para ambasadave: Republika është asgjësuar

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje që diaspora shqiptare të organizojë protesta para ambasadave të Shqipërisë në vendet e Bashkimit Europian, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka “asgjësuar Republikën” dhe se po drejton një “narkoshtet”.
Deklaratat Berisha i bëri gjatë një bashkëbisedimi në rrjetet sociale me qytetarë dhe përfaqësues të diasporës, ku u diskutua mbi format e protestës kundër qeverisë aktuale.
Në përgjigje të një komenti nga një qytetar i cili kërkoi qartësi mbi qëllimin e protestave duke theksuar vështirësitë e ardhjes nga Greqia në Tiranë, Berisha sugjeroi që opozitarët jashtë vendit të protestojnë para përfaqësive diplomatike shqiptare në kryeqytetet europiane.
“Sugjerimi im për ju dhe për të gjithë opozitarët në diasporë është të organizojnë protesta para ambasadave që përfaqësojnë narkoshtetin shqiptar, në mënyrë që bota të mësojë se ato nuk përfaqësojnë qytetarët shqiptarë, por narkoshtetin e Edi Ramës”, u shpreh Berisha.
Ai e akuzoi Ramën për shkatërrimin e sistemit të drejtësisë dhe shkeljen e Kushtetutës.
Berisha theksoi se angazhimi i shqiptarëve jashtë vendit është i domosdoshëm.
“Diaspora është e ftuar të organizojë protesta të fuqishme pranë ambasadave të narkoshtetit. Republika nuk ekziston më, Edi Rama e ka asgjësuar republikën. Në një vend ku kushtetuta shkelmohet, ku drejtësia bllokohet, Republika është një letër e vdekur”, deklaroi ai.
/a.f/