Punimet në shëtitoren “Taulantia” në Durrës përfundojnë në maj

TIRANË, 14 janar /ATSh/ Kryeministri Edi Rama inspektoi sot disa projekte të rëndësishme urbanistike në qytetin e Durrësit.
I shoqëruar nga kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako, Rama inspektoi punimet në kantierin e shëtitores “Taulantia”, ku po vijon puna për transformimin e saj në një hapësirë funksionale për të gjithë qytetarët dhe vizitorët.
Shëtitorja, e cila parashikohet të përfundojë në maj të këtij viti, do të kompletohet me terrene të gjelbëruara, sistem ndriçimi, korsi të posaçme për këmbësorët dhe biçikletat, kënde e fusha sportive, të gjitha në funksion të turizmit
“Janë duke u realizuar themelet e shëtitores. U hoqën stolat e amortizuar dhe jemi duke punuar me pjesën e shtrimit të bazamentit, është zgjeruar dhe kemi vendosur edhe pjesën e barrierës me gurë”, u shpreh Sako.
Sipas Sakos “projekti përfshin gjithë sistemimin e territorit, që nga lokalet që ndodhen në shëtitore, elementët e ndriçimit, stolave dhe të gjelbërimit”.
Kjo zonë nënvizoi kryetarja e bashkisë ka një frekuentim shumë të lartë gjatë dimrit dhe verës.
Bashkia e Durrësit, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, po realizon edhe investimin për rehabilitimin e hyrjes së qytetit, ku përfshihet ndërtimi i pistës së biçikletave, përmirësimi i asfaltit, ndriçimi, gjelbërimi dhe një ndërhyrje e rëndësishme në sistemin e kanalizimeve për të përballuar flukset e larta të ujërave, pas situatave të përmbytjeve të fundit.
“Një element shumë i rëndësishëm është edhe lidhja e kanalit të ujërave të larta nga Shkozeti dhe plazhi drejt urës së Dajlanit. Pas situatës së përmbytjeve që patëm kemi biseduar me kompaninë edhe me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për të bërë të mundur që të hapet e plotë dhe tombino të vendoset e re në mënyrë që të parashikojë edhe fluksin e lartë të ujërave që arritën në maksimum në rastin e reshjeve të javës që kaloi”, u shpreh kryetarja e bashkisë së Durrësit.
“Vijnë shumë prurje plastike nga ujërat e fryra dhe krijohen situata të vështira për çdo lloj kanali, ndaj këto ndërhyrje duhet të bëhen paralelisht,” tha Kryeministri, duke shtuar se “ky projekt krijon një bulevard të ri, shumë cilësor për qytetin e Durrësit.”
Nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama vlerësoi projektin si një investim me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën urbane të qytetit.
Projekti në shëtitoren “Taulantia” financohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe po ndërtohet mbi projekt-idenë e propozuar nga studioja prestigjioze ndërkombëtare Bofill Taller de Arquitectura.
/m.q/j.p/