E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha u ‘ankohet’ aleatëve: Rama i fitoi zgjedhjet nga droga! Kërcënoi diplomatin e vëzhguesve të ODIHR që të ndryshonte raportin

Kreu i PD, Sali Berisha në takimin me aleatët vijoi me akuzat e ripërsëritura se kryeministri Edi Rama i ftoi zgjedhjet e 11 majit për shkak të mbështetjes nga kartelet e drogës. Ai aludoi edhe njëherë se Rama dhe ish-ministri Igli Hasani kanë kërcënuar diplomatin e vëzhguesve të OSBE-ODIHR që të ndryshonin raportin final të 11 majit.

“Zgjedhjet Edi Rama i fitoi nga droga, nga kartelet e drogës dhe krimit, i përdori duke përdorur të gjitha resurset e shtetit njëlloj si në partinë shtet. I fitoi duke frikësuar dhe trembur zgjedhësit. Ju keni dëgjuar se ky raporti i OSBE/ODIHR, i cili në fakt i shpall zgjedhjet si zgjedhje të partisë shtet, dhe ka një vërtetësi të padiskutueshme, për të ndryshuar këtë raport u bënë përpjekjet më të jashtëzakonshme. Edi Rama thirri në zyrë dhe kërcënoi si bandit diplomatin që kryesonte ekipin e vëzhguesve. Igli Hasani thirri në zyrë kreun tjetër të vëzhguesit bashkë me vëzhguesit dhe u tha, ku i keni këto të dhëna, ku i argumentoni këto, ku i bazoni këto që keni shkruar. Po ju njoh me këto se gjer në ç’shkallë këta narkoqeveritarë janë të gatshëm të kërcënojnë edhe faktorin ndërkombëtar. Natyrisht kërcënimet e tyre, me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme që bënë, u shumëzuan me zero. Ai zotëri nderoi institucionin që përfaqësonte, nderoi veten e tij, një zyrtar i ndërgjegjshëm dhe i dobishëm me të gjitha funksionet që ka kryer, raporti doli ky që është, të cilin përsëri propaganda përpiqet ta sfumojë. Përpiqet ta injorojë”, tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›