Berisha zbulon orën dhe vendin e protestës së radhës

Gjatë foltores së sotme para Kryeministrisë, kreu i PD Sali Berisha zbuloi se, protesta e radhës e Opozitës, e planifikuar për datën 12 mars, do të zhvillohet në orën 10:00.
“Prapë u drejtohem këtyre policëve unë këtu, dhe të gjithë policëve, të gjithë ushtarakëve, të gjithë punonjësve të administratës, mos mbështesni por sabotoni çdo ditë këtë regjim. Denoncojeni dhe sabotojeni, ta heqim një minutë e më parë, ta hedhim në koshin e plehrave të historisë.
A e patë ju se si mbrojti, më thoni cilin prej jush ka mbrojtur ai në 13 vite siç mbron hajduten, siç mbron vjedhjet e veta, siç mbron kriminelin e damkosur në parlament, Taulant Balla dhe bandën tjetër? Nuk duhet të ndani me këta horra moralin e tyre.
Këta janë kriminelë, janë njerëz që nuk kanë asgjë të përbashkët me moralin tuaj, familjeve tuaja, këta janë antishqiptarë që po zbrazin Shqipërinë, po shkatërrojnë Shqipërinë. Ndaj dhe duhet t’u japim atë përgjigje që meritojnë.
Miq, 12 marsi është një ditë e madhe.
Me 12 mars të gjithë shqiptarët para parlamentit. Më 12 mars është dita e pranverës së demokracisë. Dita e përmbysjes së madhe të narkoregjimit.
Ndaj dhe në ora 10, e gjithë Shqipëria tek parlamenti. T’i japim përgjigjen e merituar Edvin Kristaq Ramës dhe bandës së tij”, tha Berisha.

Berisha u bëri thirrje edhe të rinjve të dalin në shesh pasi sipas tij, sot Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për guximin dhe energjinë e tyre.