Berisha zgjidhet Zv.President i CDI, Unionit më të madh botëror të partive të djathta

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është zgjedhur zv/President i Unionit më të madh në botë të partive të djathta (CDI).
Në fjalën e mbajtur pas zgjedhjes në këtë detyrë, Berisha shprehu mirënjohje për besimin e dhënë dhe e cilësoi këtë detyre si një përgjegjësi të madhe në betejën globale për mbrojtjen e demokracisë.
Lideri democrat nënvizoi se angazhimi i tij në CDI ka për qëllim mbështetjen e përpjekjeve për rikthimin e sundimit të ligjit, garantimin e të drejtave të njeriut dhe forcimin e institucioneve të lira në Shqipëri.
Në mesazhin e tij, Berisha u shpreh se kjo e majta ekstreme është rreziku më I madh, e cila synon të godasë vetë identitetin njerëzor dhe vlerat themelore mbi të cilat është ndërtuar shoqëria perëndimore.
“Jam shumë, shumë i nderuar me besimin që më dhatë. Fuqia ime në jetë është lufta ndaj diktaturave. Kam kuftuar kundër diktaturës komuniste, dhe tani unë luftoj kundër një diktature autoritare.
Z.President, shumë, shumë vite më parë duke lexuar Samuel Huntington zbulova se nga të gjitha format e diktaturës, më e keqja është mobokracia, vendosja narkodiktaturës, sepse ata nuk ndjekin as rregulla, as ligje dhe ne sot përballemi me të njëjtën gjë.
E marr këtë mundësi për t’ju siguruar që me ndihmën tuaj, të miqve tanë, ne do të bëjmë më të mirën. Çdo gjë që nevojitet që kombi im të jetë i lirë dhe të vendosim përsëri sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut, demokracinë.
E majta ekstreme përfaqëson sot kërcënimin më të madh, ndoshta për të gjithë njerëzimin. E majta ekstreme nuk është siç ishte më parë, e përqendruar në grupet ose partitë marksiste-leniniste. Tani është e përhapur, për fat të keq, shumë gjerësisht në shoqëritë civile të sponsorizuara nga Xhorxh Soros. Është shumë gjerësisht e përhapur në median e kontrolluar prej tyre dhe e majta po paguan çmimin, dhe ata e meritojnë që të paguajnë çmimin”, tha ndër të tjera në fjalën e tij Berisha.
CDI është e përbërë nga 115 parti të qendrës së djathtë nga Europa, Amerika e Veriut, Amerika e Jugut dhe Azia. Anëtarë të saj drejtojnë disa prej vendeve kryesore të botës përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.