E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha zgjidhet zv.president i CDI-Akuzon qeverinë Rama për shndërrimin e Shqipërisë në “narko-shtetin e vetëm në Europë”

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u zgjodh Zv.President i CDI, një union ndërkombëtar që bashkon parti të qendrës së djathtë në botë. Zgjedhja u bë gjatë Asamblesë së organizuar në Sao Paolo, Brazil, ku u zgjodhën edhe Presidenca dhe drejtuesit e rinj të këtij unioni.

Pas zgjedhjes, Berisha shprehu mirënjohje për besimin e dhënë dhe e konsideroi detyrën si një përgjegjësi të madhe në betejën globale për mbrojtjen e demokracisë.

Ai falënderoi CDI-në për miratimin e një rezolute mbi Shqipërinë, të cilën e cilësoi si “narko-shtetin e vetëm në Europë”.

Berisha akuzoi qeverinë Rama për lidhje me kartelet e drogës, duke theksuar se grupet kriminale ndikojnë në emërime politike, gjyqësore dhe policore.

“Në Europë, askush nuk do të na dëgjojë të flasim për narko-shtetin. Ky është një problem i madh. Ne e bëjmë për hir të kombit tonë, por e bëjmë edhe për hir të kombeve të tjera. Dhe besoj se është evidente, ata nuk flasin. E kundërta, ndonjëherë na sulmojnë pse ne flasim për narko-shtetin. Kushdo që lexon dhe shikon, Shqipëria i plotëson të gjitha kriteret për të qenë një narko-shtet. Vetë fakti që Shqipëria është e shkatërruar nga zgjedhjet është një pjesë e plotë z.President, Sekretar i Përgjithshëm i CDI-së, miku i vjetër Isturiz dhe persona të tjerë të CDI erdhën në zgjedhjet tona. Ata panë cila ishte mbështetja popullore, por problemi është se kartelet e drogës janë më të forta se çdo parti dhe ato diktojnë rezultatet”, tha Berisha.

Berisha paralajmëroi se opozita do të vazhdojë të denoncojë këtë situatë, me shpresën që partnerët europianë të marrin seriozisht kërcënimin që, sipas tij, vjen nga trafiku i drogës dhe ndikimi i tij në politikë dhe ekonomi.

Gazetare: Rugova Dunisha

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›