E Hënë, 2 Nëntor 2026

Besëlidhja fiton Superkupën e Shqipërisë në basketboll për meshkuj

TIRANË, 30 shtator /ATSH/ “Besëlidhja” e Lezhës është shpallur fituese e Superkupës së Shqipërisë në basketboll për meshkuj.

Skuadra lezhjane triumfoi në finale ndaj “Vllaznisë” së Shkodrës me rezultatin 89-73.

Takimi dhuroi emocione dhe rivalitet, sidomos në dy periodat e para.

Lezhjanët e nisën më mirë ndeshjen dhe e mbyllën periodën e parë në avantazh 20-13, por shkodranët reaguan menjëherë duke fituar periodën e dytë 20-18.

Pas një periudhe të tretë të ekuilibruar (21-21), “Besëlidhja” shpërtheu në 10 minutat e fundit, duke dominuar dhe siguruar fitoren me një diferencë të theksuar, 89-73.

Ky sukses i jep “Besëlidhjes” trofeun e parë të sezonit, teksa lezhjanët janë kampionë në fuqi të Shqipërisë.

“Urime për Superkupën e fituar! Ekipi ynë e nis me fitore sezonin e ri të basketbollit. Ky është rezultat i punës së palodhur, pasionit dhe bashkëpunimit të të gjithëve”, u shpreh Presidenti i klubit, Ylli Ujka.

Presidenti i ekipit të Basketbollit shprehu falënderime të veçanta për Kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj sportit, si dhe për të gjithë donatorët që kanë qenë krah skuadrës në këtë rrugëtim.

Po ashtu, ai vlerësoi punën e drejtuesve të klubit, përkushtimin e lojtarëve, si dhe vizionin e trajnerit Afrim Bilali, i cili ishte një nga arkitektët kryesorë të këtij suksesi.

Fitorja e Superkupës është një sinjal i qartë se Besëlidhja synon fitoren edhe këtë sezon, duke kërkuar të mbrojë titullin kampion dhe të sjellë të tjera suksese për tifozët e saj të zjarrtë.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›