Edicioni IV i ekipeve sportive nis me trajnimin e mësuesve dhe trajnerëve të basketbollit

TIRANË, 30 shtator/ATSH/ Mbi 12 mijë nxënës do të jenë pjesë e programit të ekipeve sportive në shkolla për vitin shkollor 2025-2026.
Këtë vit ky program përfshin për herë të parë, veç basketbollit dhe volejbollit, edhe shahun.
Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar bëri të ditur sot se ka nisur zyrtarisht edicioni IV i projektit ekipet sportive në shkolla, me trajnimin e mësuesve dhe trajnerëve të basketbollit.
“160 trajnerë kanë zhvilluar trajnim praktik dhe teorik për grupmoshat U19, U16 dhe U18 me lektorët Afrim Bilali dhe Bruno Hoxha”, theksoi KOKSH në një postim në rrjetet sociale.
Kampionati i Ekipeve Sportive në shkolla është një bashkëpunim i MAS dhe KOKSH që ka rikthyer masivisht frymën sportive tek të rinjtë.
Në programin e ekipeve sportive në shkolla vitin e kaluar shkollor u angazhuan më shumë se 12 mijë fëmijë, 800 ekipe të basketbollit dhe volejbollit për vajza e djem dhe më shumë se 400 mësues të edukimit fizik.
/k.s/j.p/