E Hënë, 2 Nëntor 2026

Besimtarët ortodoksë në mbarë vendin kremtojnë Ditën e “Ujit të Bekuar”

Ashtu si çdo vit, më 6 janar, rituali i hedhjes së kryqit në ujë mblodhi besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin për të festuar “Ujin e Bekuar”.

Tradita e hedhjes së Kryqit në ujë, në Ditën e Theofanisë (Epifania), është kremtuar me solemnitet në disa qytete të vendit, duke mbledhur besimtarë dhe të rinj që sfiduan të ftohtin dhe kushtet atmosferike për të marrë pjesë në këtë rit të shenjtë.

Ky akt simbolik përkujton pastrimin dhe ndriçimin shpirtëror, duke u bërë momenti kulmor i festës.

Në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Gjirokastër, qindra qytetarë morën pjesë në meshën e shenjtë të udhëhequr nga mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësia Nathanaili, së bashku me priftërinj të tjerë.

Pas meshës, u zhvillua rituali i hedhjes së kryqit në ujë, një akt simbolik që përkujton pastrimin dhe ndriçimin shpirtëror, duke u bërë momenti kulmor i festës për besimtarët e zonës.

Ceremonia u shoqërua me këngë liturgjike dhe pjesëmarrje të komunitetit ortodoks, duke e kthyer Ditën e “Ujit të Bekuar” në një ngjarje të rëndësishme shpirtërore dhe kulturore për qytetin e Gjirokastrës.

Besimtarët ortodoksë në Fier festuan Ditën e Ujit të Bekuar në Kishën e Shën Gjergjit.

Në mëngjes, në orën 07:30, kambanat ftuan besimtarët në Liturgjinë e mëngjesit, e drejtuar nga Hirësia e Tij Nikolla, mitropoliti i Mitropolisë së Apollonisë.

Uji i Shenjtë, ose Uji i Bekuar, siç njihet nga të gjithë, është një nga dhuratat më të bukura të Zotit për t’i dhënë një pjesë të shenjtë jetës së përditshme dhe për t’i bërë të shenjta të gjitha gjërat që na rrethojnë.

Një moment tjetër i festës ishte ankandi i ikonave, ku besimtarët morën në shtëpi ikonën e zgjedhur mes shenjtorëve për 40 ditë. Rikthimi i saj në kishë bëhet në mes të muajit shkurt, duke gërshetuar meditimin në kishë me lutjet në shtëpi.

Ndezja e qirinjve, marrja e ujit të bekuar në shtëpi, si dhe hedhja e kryqit në ujë, si pjesë e festimeve të Ditës së Bekuar, bashkuan besimtarët në kishë dhe në qendër të qytetit.

Dita e Ujit të Bekuar është një festë që bashkon të gjitha moshat, besimtarë dhe jo besimtarë, në këmbyes të dritës hyjnore.

Besimtarët ortodoksë në Korçë festuan Ditën e Ujit të Bekuar

Në Korçë, ceremonia e hedhjes së Kryqit u zhvillua në një shatërvan të qytetit. Dhjetëra besimtarë ndoqën me emocion momentin kur disa të rinj u hodhën në ujë, duke sfiduar temperaturat e ulëta, për të kapur Kryqin e Shenjtë. Fituesi i këtij akti simbolik ishte Ervis Rakipi, i cili e ka kapur Kryqin për herë të tretë. Rakipi, duke folur për median, u shpreh: “Është hera e tretë që e kap kryqin. E ndjeja që do ta kapja unë edhe e kapa.”

Besimtarët ortodoksë në Sarandë festuan Ditën e Ujit të Bekuar

Në Sarandë, ceremonia u zhvillua sipas traditës së Kishës Orthodokse, pavarësisht motit të keq me reshje shiu, det të trazuar dhe erë të fortë. 24-vjeçari Andrea Baruta arriti të kapte për të dytin vit radhazi Kryqin e Shenjtë. Mesha dhe riti solemn u drejtuan nga Athanail, Despoti i Gjirokastrës, i cili përcolli mesazhe paqeje, uniteti dhe shprese për besimtarët. Momenti i hedhjes së Kryqit u shndërrua në një ngjarje simbolike që përcjell bekim, shëndet dhe mbarësi.

Besimtarët ortodoksë në Berat festuan Ditën e Ujit të Bekuar

Dita e 6 Janarit, që simbolizon ditën e shenjtë të Ujit të Bekuar, në qytetin e Beratit përcillet çdo vit si një festë e madhe për të gjithë besimtarët e krishterë. 6 Janari, e kremtja e Pagëzimit të Zotit dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht, ose e njohur në popull si Dita e Ujit të Bekuar, për besimtarët beratas është një prej të kremteve më të mëdha të Kishës. Përmes saj ata përkujtojnë pagëzimin e Zotit të tyre, Jezu Krishtit, në ujërat e lumit Jordan, duke e pasqyruar këtë pagëzim të shenjtë çdo vit në ujërat e lumit Osum.

Ceremonia e kësaj dite të shenjtë, si çdo vit, edhe sot filloi herët në mëngjes në Kishën e Shën Dhimitrit, në qendër të qytetit. Pasi u kryen të gjitha ritet fetare, Imzot Asti, me kryqin në dorë dhe nën tingujt e këmbanave të Kishës, iu drejtua lumit Osum për të hedhur kryqin, simbol të kësaj feste.

Dhjetë të rinj nga të gjitha lagjet e qytetit të Beratit u hodhën në ujin e ftohtë të lumit për të pritur hedhjen e kryqit, mes tyre këtë vit edhe një fëmijë 8-vjeç. Kryqi u kap nga 15-vjeçari Fabio Naço, banues në lagjen “Goricë” të Beratit.

Si çdo vit, i riu që kap Kryqin e Ujit të Bekuar më pas shkon me kryqin në dorë në çdo shtëpi të lagjeve Goricë, Mangalem dhe Kala, ku banorët “dorovisin” kryqin e bekuar që mban në dorë. Pas ceremonisë, besimtarët e krishterë i drejtohen Kishës për të mbushur bidona me ujë të bekuar, të cilin e marrin në shtëpi dhe e ruajnë për gjithë vitin.

Mesazhi i Ditës së “Ujit të Bekuar”

Dita e Ujit të Bekuar, e njohur ndryshe si Theofania, është një nga festat më të rëndësishme të Kishës Orthodokse. Ajo përkujton Pagëzimin e Krishtit në lumin Jordan dhe shënon fillimin e Misionit Hyjnor të Tij mbi tokë, në praninë e Trinisë së Shenjtë – Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›