E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Betejë për pasurinë e Michael Jackson, vajza e tij kërkon 600 milionë dollarë nga trashëgimia e të atit

Betejë për pasurinë e Michael Jackson, vajza e tij kërkon

Një konflikt i ri financiar ka shpërthyer në familjen e legjendës së muzikës pop, Michael Jackson.

Vajza e tij, Paris Jackson, i është drejtuar gjykatës në Los Angeles, duke kërkuar transferimin e 600 milionë dollarëve nga pasuria e të atit në një fond familjar, i cili është krijuar për të dhe dy vëllezërit e saj, Prince dhe Bigi Jackson.

Sipas dokumenteve gjyqësore të paraqitura më 29 tetor, Paris pretendon se fondi familjar nuk është financuar ende, edhe pse kanë kaluar më shumë se 17 vite nga vdekja e babait të saj dhe pasuria e tij ka gjeneruar miliarda dollarë përmes marrëveshjeve tregtare dhe shitjes së aseteve.

28-vjeçarja kërkon që gjykata të urdhërojë administratorët e trashëgimisë të transferojnë 600 milionë dollarë, ose një shumë tjetër që gjyqtari do ta konsiderojë të përshtatshme.

Në kërkesën e saj, Paris ka drejtuar kritika ndaj John Branca-s, një prej administratorëve të pasurisë së Michael Jackson, duke e akuzuar se ushtron kontroll të tepruar mbi fondet dhe vendos vetë se kur dhe në çfarë mase përfituesit mund të marrin para.

Sipas saj, babai kishte parashikuar që tre fëmijët e tij të fillonin të përfitonin të ardhura nga fondi që në moshën 21-vjeçare, ndërsa shuma të caktuara nga kapitali do t'u shpërndaheshin kur të mbushnin 30, 35 dhe 40 vjeç.

Paris pretendon se këto parashikime nuk janë zbatuar siç duhet dhe se ajo dhe vëllezërit e saj kanë marrë shuma më të vogla, sipas vendimeve të administratorëve.

Ajo përmend gjithashtu disa marrëveshje të rëndësishme financiare të trashëgimisë, përfshirë shitjen e aksioneve në EMI Music Publishing për 287.5 milionë dollarë, shitjen e fermës Neverland për 22 milionë dollarë dhe marrëveshjen prej 750 milionë dollarësh me Sony për katalogun muzikor dhe të drejtat intelektuale të Michael Jackson.

Sipas pretendimeve të saj, këto transaksione kanë gjeneruar më shumë se 1 miliard dollarë përpara taksave dhe shpenzimeve.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e pasurisë së Michael Jackson i kanë kundërshtuar pretendimet e Paris, duke argumentuar se fondet nuk mund të transferohen plotësisht për shkak të çështjeve ligjore ende të pazgjidhura.

Një prej problemeve kryesore lidhet me një mosmarrëveshje me autoritetet tatimore amerikane (IRS), të cilat kishin kërkuar rreth 700 milionë dollarë në taksa dhe penalitete.

Përfaqësuesit e trashëgimisë deklarojnë se kanë arritur të sigurojnë një vendim që e ka ulur ndjeshëm këtë detyrim, por çështja ende nuk është mbyllur përfundimisht.

Ata i kanë cilësuar si të pavërteta pretendimet se u janë mbajtur ose reduktuar pagesat përfituesve, duke theksuar se më shumë se 200 milionë dollarë janë shpërndarë tashmë për të mirën e fëmijëve të këngëtarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›