Betohen deputetët e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës

PRISHTINË, 19 prill /ATSH/ Janë betuar sot 120 deputetë të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Pas takimit konsultativ sot paradite të të gjitha partive u dakordësuan që të votojnë për raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve.
Ky raport nuk u votua nga opozita në seancën e 15 prillit pasi deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së argumentuan se anëtarët e qeverisë duhet të japin dorëheqje formale para se të betohen si deputetë.
Betimi i hap rrugë votimit të kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Kjo u arrit në tentimin e tretë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Deklarata e betimit:
Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë shtetasve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e sovranitetit, tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit. Betohem!
/KosovaPress/