Festa e Pashkëve, ipeshkvi Dodë Gjergji përçon mesazhin për paqe e harmoni

PRISHTINË, 19 prill/ATSH/ Ipeshkvi Dodë Gjergji ka uruar besimtarët katolikë me rastin e Pashkëve, duke ftuar ata që këtë festë të madhe ta kremtojnë me lutje për paqe dhe zemrat e mbushura me shpresë dhe gëzim.
Në fjalimin e tij, Ipeshkvi Dodë Gjergji bëri thirrje për paqe e pajtim në mbarë botën si një qëllim i përbashkët për të mirën e njerëzimit.
“Edhe pse kjo Pashkë na gjen në një botë të përgjakur, në një Evropë të përçarë dhe në një Kosovë që rënkon nën barrën e papërgjegjësisë politike, pasigurisë për të ardhmen dhe ndarjeve të panevojshme, jemi të ftuar të ruajmë qetësinë e shpirtit, shkëlqimin e shpresës dhe ngushëllimin e fesë. Sepse ne, që kemi besuar në Krishtin e Ngjallur, jemi të thirrur të bëhemi forca që i qëndron kohës, sado e vështirë të jetë ajo”, ka thënë ai.
Ipeshkvi Dodë Gjergji ka thënë se Pashkët nuk janë thjesht një datë kalendarike apo një zakon që përsëritet çdo vit, por një ngjarje e gjallë në jetët tona.
“Jemi të bindur se çdo njeri e di dhe e pranon: paqja është më e dobishme se lufta, dashuria është më e fuqishme se urrejtja, dhe jeta është më e fortë se vdekja. Ne lutemi, edhe pse e dimë se nuk mund ta ndryshojmë gjithë botën – por mund ta ndryshojmë veten tonë dhe mënyrën si ecim në këtë botë – dhe kjo mjafton që të bëhemi rrezatim i Atij që i ndryshon zemrat, i shenjtëron kohët dhe e shpëton njeriun nga vdekja – duke u bërë shenjë e gjallë e pranisë së Krishtit të Ngjallur në mesin tonë. Me këto lutje të zemrës, ju uroj që Pashkët e Krishtit të Ngjallur t’ju mbushin zemrat me dashuri, shpresë dhe gëzim të vërtetë. U ngjall, ashtu si pati thënë. Aleluja!”, ka thënë ai.
Data e Pashkëve ndryshon çdo vit, pasi llogaritet sipas një formule që lidhet me ekuinoksin e pranverës dhe hënën e plotë, duke u festuar të dielën e parë pas hënës së plotë që vjen pas 21 marsit. Pashkët mbeten një moment gëzimi dhe shprese, që kujton jetën, rilindjen dhe dashurinë hyjnore. /KosovaPress/