E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Bibliotekat kombëtare shqiptare dhe hungareze nisin bashkëpunimin profesional e shkencor - ATSH -

TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare Széchényi e Hungarisë nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi, me qëllim forcimin e bashkëpunimit profesional, shkencor dhe kulturor mes dy institucioneve.

Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishme zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Lira Pipa, si dhe ambasadorja e Hungarisë në Shqipëri, Martina Laura Kasnyik.

Memorandumi synon të krijojë mundësi të reja për shkëmbimin e botimeve dhe ekspertizës profesionale, digjitalizimin e koleksioneve, zhvillimin e projekteve të përbashkëta, si dhe organizimin e ekspozitave, konferencave dhe aktiviteteve kulturore e shkencore.

Një element i veçantë i këtij bashkëpunimi është edhe krijimi i “Këndit të Literaturës Hungareze” në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, falë dhurimit të librave nga pala hungareze.

Ky kënd përbën një hap konkret në zhvillimin e partneritetit mes dy institucioneve dhe një mundësi të re për lexuesit shqiptarë për t’u njohur më nga afër me historinë, letërsinë dhe kulturën hungareze.

Nënshkrimi i memorandumit synon të forcojë lidhjet institucionale mes Shqipërisë dhe Hungarisë, duke promovuar shkëmbimin e njohurive dhe pasurimin e ofertës kulturore për publikun.

1 nga 13

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›