E Premte, 6 Nëntor 2026

Bicaj komenton listën e Maran: E çuditshme mungesa e Anis Mehmetit, ndeshja me Finlandën vendimtare

I ftuar në emisionin “Kubi Sportiv”, trajneri i futbollit Ditmar Bicaj komentoi listën e publikuar nga trajneri i Kombëtares për dy ndeshjet e fundit të grupit, ndaj Finlandës dhe Bjellorusisë.

Bicaj e vlerësoi pozitivisht përfshirjen e katër futbollistëve nga kampionati shqiptar, tre prej të cilëve nga Dinamo. Sipas tij, ky është një mesazh i qartë se stafi i Kombëtares po ndjek nga afër futbollistët që aktivizohen në kampionatin vendas dhe po u jep mundësinë të jenë pjesë e ekipit kuqezi.

Trajneri komentoi edhe mungesën e Anis Mehmetit në listë, duke e cilësuar disi të çuditshme. Sipas tij, fakti që futbollisti nuk po aktivizohet me klubin e tij në Premier League nuk duhet të jetë arsye për të mos e grumbulluar, pasi bëhet fjalë për një kampionat të nivelit shumë të lartë.

Në lidhje me dy sfidat e Kombëtares, Bicaj u shpreh se ndeshja ndaj Finlandës në “Air Albania” është vendimtare. Ai tha se ka besim se Shqipëria mund të marrë tri pikët, duke vlerësuar edhe mbështetjen që tifozët do t’i japin ekipit. Sipas tij, rezultati ndaj Finlandës do të ndikojë edhe në mënyrën se si do të përballohet ndeshja me Bjellorusinë, e cila do të luhet në Budapest pa praninë e tifozëve.

“Është diçka pozitive sa i përket grumbullimit të futbollistëve nga kampionati shqiptar. Është edhe një mesazh shumë i qartë që trajneri, së bashku me stafin e tij, po u jep një shans. I kanë vëzhguar dhe kanë marrë elementët më cilësorë. Uroj që, pavarësisht rëndësisë së këtyre dy ndeshjeve, futbollistët e kampionatit shqiptar të kenë edhe minuta në fushë. Nuk më duket se janë ndeshjet e duhura për të bërë eksperimente, sidomos në një pozicion delikat si krahu i djathtë i mbrojtjes. Më shumë do t’i besoja eksperiencës së Hysajt, pavarësisht se nuk ka minutazhin e duhur në këmbë. Kur vjen puna te Kombëtarja, ai ka treguar se di të bëjë shumë mirë”, tha Biacj.

Bicaj analizoi edhe humbjen 2-0 të Egnatias ndaj Universitatea Craiovës në Rumani, në kuadër të Conference League. Ai tha se skuadra rrogozhinase po vuan mungesën e freskisë fizike, dëmtimet dhe ngarkesën e madhe nga ndeshjet e zhvilluara që prej verës.

Sipas tij, Egnatia ka nevojë për më shumë rotacion për të shpërndarë ngarkesën fizike mes futbollistëve. Bicaj vlerësoi se kundërshtari rumun ishte më agresiv dhe më i freskët.

“Egnatia po vuan mungesën e freskisë fizike dhe dëmtimet. Mendoj se duhet të ketë sa më shumë rotacion për të shpërndarë ngarkesën fizike. Kundërshtari rumun ishte më agresiv dhe më i freskët, si nga ana taktike, ashtu edhe fizike. Egnatia ka zhvilluar shumë ndeshje që prej verës dhe kjo ngarkesë ka ndikuar në paraqitjen e saj”, tha ai.

Në fund, Bicaj komentoi edhe ndeshjet e javës së 11-të të kampionatit shqiptar, duke veçuar përballjet Tirana–Teuta dhe Vllaznia–Elbasani. Për këtë të fundit, ai vlerësoi paraqitjet e Elbasanit në ndeshjet e fundit, me shtatë pikë të grumbulluara nga nëntë të mundshme, ndërsa theksoi se Vllaznia është më e fortë në fushën e saj pas ardhjes së trajnerit Lazlo, por ka pasur vështirësi në transfertë.

Lajme të Sugjeruara

Sa është premio për lojtarët e Egnatias? Gazetari sjell detajet nga Rumania para sfidës me Craiovën

Sa është premio për lojtarët e Egnatias? Gazetari sjell detajet nga Rumania para sfidës me Craiovën

“Bratu dështoi në fazën përgatitore”, gazetari Baze: Lojtarët e Partizanit nuk ishin në gjendjen e duhur

“Bratu dështoi në fazën përgatitore”, gazetari Baze: Lojtarët e Partizanit nuk ishin në gjendjen e duhur

Sota dëmtohet rëndë në sytë e trajnerit Maran, presidenti Fatos Troplini bën gjestin e rrallë

Sota dëmtohet rëndë në sytë e trajnerit Maran, presidenti Fatos Troplini bën gjestin e rrallë

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›