Bido: Sulm i padrejtë ndaj mandarinave të Konispolit, dëmshpërblejmë fermerët për përmbytjet

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Deputeti i Partisë Socialiste, Ardit Bido, deklaroi sot se mandarinat e Konispolit janë përballur me një sulm të orkestruar mediatikisht, që ka çuar në uljen e çmimit për fermerët, ndërsa në tregjet e qyteteve arrin mbi 100 lekë për kilogram.
Sipas tij, ky është një sulm që vjen prej grosistëve të cilët duan të sjellin mandarina të importuara dhe organizojnë sulme mediatike.
“Në asnjë rast nuk ka asnjë analizë që të nxjerrë mandarinat e Konispolit me pesticide. Dua të falënderoj Ministrinë e Bujqësisë për praninë gjatë javës së kaluar në Konispol, e cila e ngriti këtë çështje dhe e deklaroi publikisht. Besoj se është çasti që ne të veprojmë në shërbim të këtyre njerëzve punëtorë, të një zone që prodhon sasinë më të madhe të mandarinave për tregun shqiptar, i prodhon me cilësi dhe punon gjithë vitin për këto ditë. Duhet të veprojmë përmes organeve shtetërore, duke deklaruar publikisht të vërtetën e madhe se ky është një sulm i padrejtë ndaj fermerëve”, tha Bido.
Deputeti theksoi nevojën e masave për mbrojtjen e prodhimit vendas.
“Ndoshta ka ardhur çasti që për produktet që janë të subvencionuara në vendet e tjera me vlera shumë herë më të mëdha se subvencionimet që vijnë te ne dhe rrjedhimisht nuk përbëjnë tregti të lirë nga ato që rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë përcaktojnë, ne të vendosim traun në doganë, në mënyrë që të mund të shitet produkti vendas në këtë kohë”, deklaroi Bido.
Bido u ndal edhe te situata e përmbytjeve, që ka prekur zona të ndryshme, përfshirë Sarandën, Delvinën dhe Konispolin, duke shkaktuar dëme të mëdha në tokat bujqësore, shtëpi, blegtori dhe bletari.
“Pa dyshim do të dëmshpërblehen fermerët dhe bizneset e dëmtuara”, tha ai.
/a.f/r.e/