E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimet klimatike/ Shqipëria mund të humbasë 7% të PBB-së në 10 vjet. Sektorët më të rrezikuar

Ndryshimet klimatike janë kthyer në një këmbanë alarmi për të gjithë botën teksa pritet të sjellin temperatura ekstreme të larta edhe më të shpeshta.

Larg këtij rreziku nuk qëndron as Shqipëria, e cila në 10-vjeçarin e ardhshëm, pritet të përballet me dëme kolosale ekonomike, kryesisht si pasojë e zjarreve dhe përmbytjeve.

Këtë e thotë edhe “Plani Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike 2026-2036“, i hartuar nga ministria e Mjedisit, ku ndër të thuhet se klima është një kërcënim serioz, ndaj duhen masa urgjente në të kundërt Shqipëria mund të humbasë 7% të Prodhimit Kombëtar nga mos-reagimi në kohë.

“Cenueshmëria e popullsisë shqiptare ndaj fatkeqësive natyrore përkeqësohet nga varfëria, infrastruktura me cilësi të ulët, ndërtimet e pakontrolluara dhe një sërë faktorësh mjedisorë të ndikuar nga njeriu, që nga shpyllëzimi i shpejtë, menaxhimi i dobët i baseneve ujore, degradimi në rritje i tokës e deri te ndotja mjedisore”, thuhet në plan.

Për të parandaluar humbje në përmasa të tilla, nevojiten investime 9.8 miliardë dollarë, në sisteme kullimi, argjinatura, rezervuarë, teknologji mbrojtëse ndaj ngjarjeve ekstreme, apo në ngritje të sistemeve të informacioni.

Këto investime thuhet në dokument janë të domosdoshme pasi Shqipëria ka humbur 2.3 miliardë dollarë në 3 dekada prej fatkeqësive natyrore. Fatkeqësia më e afërt është ajo e tërmetit të nëntorit 2019, me 51 viktima dhe 200 mijë banorë të prekur, e me kontribut negativ në ekonomi me 7.5%.

Sektorët më të rrezikuar nga ndryshimet klimatike janë bujqësia dhe turizmi.

Edhe sipas Raportit të Rrezikut Botëror të vitit 2021, Shqipëria renditet e para në Evropë dhe në vend të 61-të në nivel global për nga vulnerabiliteti ndaj katastrofave natyrore, duke treguar një ekspozim të lartë ndaj këtyre rreziqeve.

Disa nga llojet kryesore të katastrofave natyrore:

– Tërmetet

– Përmbytjet

– Uraganet, stuhitë dhe tornadot

– Zjarret në pyje dhe shkurre

– Rrëshqitjet e dheut

– Tsunamit (valët gjigande të detit)

– Thatësirat e thella

– Vullkanet

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›