Bie intensiteti i flakëve te “5 Maji”, RTSH sjellë pamje ekskluzive nga afër magazinës së djegur

Zjarri i rënë në magazinë e rrobave të përdorura që ndodhet te rruga “5 Maji” në Tiranë vijon të jetë aktiv, por intensiteti i fjalëve ka rënë. Gazetarja e RTSH-së, Lusi Përgjegji ka sjellë pamje ekskluzive nga shumë pranë magazinës së përfshirë nga flakët, teksa bën me dije se tashmë situata është vënë nën kontroll. Në ndihmë të forcave zjarrfikëse të Tiranës kanë ardhur edhe zjarrfikëse nga Vora, Elbasani dhe Durrësi.
“Janë vënë nën kontroll flakët për të mos lejuar përhapjen e tyre në magazina të tjera. Intensiteti i flakëve është ulur, forcat zjarrfikëse janë vendosur në të gjithë këndet e magazinës. Përveç forcave zjarrfikëse, në terren ndodhen edhe forcat e policisë që kanë vendosur një perimetër sigurie. Situata është nën kontroll. Në total janë më shumë se 15 makina zjarrfikëse në terren dhe mbi 70 forca zjarrfikëse. Ka patur edhe ndihmë nga zjarrfikëse që kanë ardhur nga Vora, Elbasani dhe Durrësi”, u shpreh gazetarja.
Një prej tregtarëve u shpreh se fatmirësisht nuk kishte pësuar humbje nga zjarri, pasi kapanoni ku ai mban mallin nuk u përfshi nga flakët. Ai vlerësoi punën e bërë nga forcat zjarrfikëse për vënien në kontroll të flakëve.
“Kam biznesin këtu, por fatmirësisht nuk kam pësuar humbje pasi kapanoni ku kam mallin nuk ka marrë flakë. Për zjarrin na njoftuan roje dhe erdha në moment. Zjarrfikësit kanë bërë të pamundurën, por zjarri mori përmasa të mëdha. Zjarri ka rënë në rroba, rrobat dihet që marrin shumë shpejt dhe flakët ecën shumë shpejt, por autoritete u angazhuan direkt”, u shpreh një person i cili operon në këtë treg”, u shpreh ai.
/rtsh.al/