E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bie niveli i ujit në liqenin e Fierzës, gazetarja e RTSH: Aktualisht në kuotën 252 metra, pranë pikës kritike

Liqeni i Fierzës, një nga burimet më të rëndësishme të energjisë hidrike në Shqipëri, po përjeton një rënie dramatike të nivelit të ujit për shkak të mungesës së reshjeve.

Sipas të dhënave më të fundit, kuota e ujit ka zbritur në 252 metra, duke u afruar ndjeshëm me kufirin kritik të njohur si “pika e vdekjes”, që ndodhet rreth 12 metra më poshtë. Kuota maksimale e liqenit është 296 metra, ndërsa ajo optimale për funksionim të qëndrueshëm është 271 metra.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për RTSH 24, gazetarja Besjana Gërmizi raportoi se reshjet e ditëve të fundit nuk kanë qenë të mjaftueshme për të ndikuar në përmirësimin e situatës hidrike.

“Aktualisht liqeni ndodhet në 252 metra kur kuota maksimale është 296. Ndërsa kuota optimale është 271, kjo do të thotë që Liqeni i Fierzës ndodhet drejt pikës kritike ose ‘pikës së vdekjes’ sikurse quhet ndryshe. Duhen më pak se 12 metra për të arritur në nivelin që është kufiri kritik,” tha Gërmizi.

Ajo shtoi se në këto kushte nuk mund të flitet për prodhim të qëndrueshëm energjie nga hidrocentrali i Fierzës.

“Agregatët po mbahen në punë vetëm për të shmangur kolapsin total të sistemit. Prodhimi është minimal dhe i pamjaftueshëm për të përballuar nevojat energjetike të vendit. Momentalisht nuk mund të flasim për prodhim energjie nga ky liqen, përveç mbajtjes në punë të agregatëve për të mos kaluar në kolaps,” theksoi gazetarja.

Përballë kësaj situate, autoritetet kanë ndërmarrë masa të menjëhershme për të garantuar furnizimin me energji elektrike.

Sipas gazetares, duke cituar të dhëna nga Operatori i Shpërndarjes Elektrike, po aplikohet alternimi i energjisë përmes dy hidrocentraleve të tjera, Komanit dhe Vaut të Dejës, si dhe po realizohet importi i energjisë nga jashtë. Megjithatë, këto masa janë të përkohshme dhe nuk zgjidhin problemin në themel.

“Reshjet intensive janë të vetmet që mund të ndikojnë realisht në përmirësimin e situatës në basenin më të madh të Fierzës. Pa to nuk mund të flasim për rikthim në normalitet,” tha Gërmizi, duke nënvizuar nevojën për një strategji afatgjatë për menaxhimin e burimeve ujore dhe energjetike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›