Bienalja e Akuarelit në Tiranë, më shumë se 200 artistë nga 50 vende të botës

TIRANË, 22 tetor/ATSH/ Bienalja e 6-të Ndërkombëtare e Akuarelit në Tiranë po tërheq vizitorë të shumtë, të apasionuar ndaj akurelit por edhe vizita të organizuara nxënësish të shkollave të Tiranës.
Punimet e piktorëve nga e gjithë bota, do të vazhdojnë të qëndrojnë në Galerinë e Artit Tiranë, deri më 30 tetor, duke i ofruar publikut një udhëtim përmes dritës, ujit dhe ngjyrës.
Bienalja e 6-të Ndërkombëtare e Akuarelit, ashtu si në edicionet e tjera, kurohet nga piktori i mirënjohur Helidon Haliti, nën organizimin e Shoqatës Kulturore VIZart.
Ky edicion është shumë më tepër se një ekspozitë – është një akt i gjallë komunikimi shpirtëror, ku akuareli, kjo teknikë delikate dhe poetike, shndërrohet në një gjuhë universale që flet për miqësi, besim, bukuritë e botës dhe shpirtin njerëzor.
Mbi 200 artistë ndërkombëtarë nga 50 vende të botës, miq të vërtetë të Shqipërisë, rikthehen përmes veprave të tyre. Ata kanë vizituar vendin tonë, kanë përjetuar kulturën, zakonet, shijen e bukës sonë dhe freskinë e ujit, kanë zbuluar bukuritë natyrore dhe shpirtërore që Shqipëria ofron. Të gjitha këto përvoja janë derdhur në letër me mjeshtëri dhe ndjeshmëri, dhe tashmë kthehen në Tiranë si ambasadorë të artit dhe dashurisë për këtë vend.
Bienalia, pjesë e platformës ndërkombëtare “Urat Mesdhetare”, e mbështetur nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës, e ka kthyer qytetin në një portë të hapur të dialogut ndërkulturor, ku veçantia e këtij viti ishte pjesëmarrja e artistëve egjiptianë, me theks të veçantë mbi pedagogët e talentuar nga Universiteti i Arteve të Aleksandrisë.
Një vend të veçantë zë edhe këndi “Nostalgji”, një hapësirë e qetë reflektimi kushtuar artistëve tanë veteranë, mjeshtrave që përmes brezave kanë lënë dritë dhe udhë në historinë e arteve pamore shqiptare. Ky është një homazh për ata që na mësuan të shohim përtej së dukshmes.
E veçanta e edicionit të këtij viti ishte pjesëmarrja e artistëve egjiptianë, nga Universiteti i Arteve të Aleksandrisë.
Kuratori Helidon Haliti, e cilëson evenimentin si një urë që lidh kujtime, vizione dhe përvoja artistike, pa kufij.
Gjatë ceremonisë së hapjes janë ndarë edhe çmime nderuese artistëve për kontributet në fushën e artit pamor.
Mes të vlerësuarve u spikatën Ardian Isufi – “Artisti më i mirë Avand/Gard” dhe Nestor Jonuzi – “Mjeshtër i Akuarelit”.
Gjithashtu, çmimi “Ismail Lulani”, emër që përfaqëson një gur themeli të artit shqiptar, u dorëzuan nga e bija, Ormira Lulani për artistët.
Bienalja e Akuarelit në Tiranë nuk është vetëm një ngjarje – është një udhëtim emocional dhe vizual ku çdo vepër shndërrohet në një dritare drejt një bote tjetër, një rrëfim personal që, ndonëse i huaj në origjinë, është thellësisht i njohur në thelb: njerëzor dhe i përbashkët.
Bienalja e Akuarelit. Fotot nga Andrin Hoxha 1 nga 10/j.p/r.e/