Bilanci i reshjeve, Prefekti i Qarkut: Situata në Bashkinë Shkodër po qetësohet, në Vaun e Dejës raportohet për përkeqësim, probleme edhe në Pukë dhe Fushë Arrëz

Prefekti i Qarkut Shkodër ka njoftuar për një situatë të ndërlikuar në disa njësi administrative të qarkut si pasojë e reshjeve intensive, me reshje që në disa zona kanë kaluar 200 mm në 24 orë. Ndërsa situata në Bashkinë Shkodër po qetësohet, Bashkia Vau Dejës raporton përkeqësim të ndjeshëm.
Bashkia Shkodër, përmbytje në banesa dhe dëme të mëdha bujqësore
Në territorin e Bashkisë Shkodër, shqetësimet kryesore janë në njësitë administrative Gur i Zi dhe Bërdicë.
Rreth 25–30 banesa në Bërdicë dhe 10–15 banesa në Gur i Zi janë prekur nga prezenca e ujit.
Ka përmbytje të konsiderueshme në tokat bujqësore, me rreth 70% të tokave të përmbyllura në zonën e Nënshkodrës (Gur i Zi, Bërdicë, Dajç, etj.).
Ka pasur një problematikë të shkurtër me energjinë elektrike në Bardhajt dhe Rrenc për shkak të djegies së një transformatori.
Strukturat vendore po operojnë me mjete të rënda (eskavatorë, fadroma) për pastrimin e inerteve dhe zhbllokimin e kanaleve.
Vau Dejës, dalja nga shtrati e përroit Glina
Në Bashkinë Vau Dejës, situata është përkeqësuar ndjeshëm. Dalja nga shtrati e përroit Glina ka shkaktuar përmbytjen e rreth 100 banesave dhe disa hektarëve tokë bujqësore. Është raportuar një rast evakuimi.
Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë konfirmoi se veprat mbrojtëse (argjinaturat) po funksionojnë, por prurjet janë jashtë kapaciteteve normale, duke bërë që uji të dalë në zona si Vau Dejës, Bushat dhe Gur i Zi.
Përkeqësime në Pukë dhe Fushë Arrëz
Reshje intensive raportohen edhe në Bashkinë Pukë dhe Fushë Arrëz, ku problemet kryesore lidhen me rrëshqitjet dherash, rëniet e gurëve në rrugët rurale dhe ndërprerje periodike të energjisë elektrike.
Të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile në Qarkun Shkodër mbeten në gatishmëri të plotë, ndërsa monitorimi vazhdon, pasi reshjet parashikohet të vazhdojnë gjatë natës.
/rtsh.al/