E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lëvizjet kufitare në shtator 2025, hyrjet rriten me 9.5%

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, bazuar në raportet e Policisë së Shtetit, lëvizjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin e Republikës së Shqipërisë gjatë Shtatorit 2025 shënuan një rritje të ndjeshme krahasuar me vitin e kaluar.

Në total, 1,965,601 hyrje dhe 2,127,386 dalje janë regjistruar gjatë muajit Shtator 2025, duke reflektuar respektivisht një rritje vjetore prej 9.5% dhe 10.4%.

Rritja e numrit të vizitorëve të huaj

Shtetasit e huaj përbëjnë shumicën e lëvizjeve totale. Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në Shqipëri arriti në 1,259,684, duke shënuar rritje me 9.9% krahasuar me Shtatorin 2024.

Daljet e tyre gjithashtu u rritën me 10.2%, duke arritur në 1,354,731.

Përsa i përket qëllimit të udhëtimit, 98% e hyrjeve të shtetasve të huaj ishin për qëllime personale (Pushime, vizitë tek të afërm, etj.), të cilat u rritën me 11.7% në një bazë vjetore. Gjithashtu, hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale shënuan një rritje të fortë prej 15.3% krahasuar me Shtatorin 2024.

Lëvizjet e shtetasve shqiptarë

Edhe fluksi i shtetasve shqiptarë shënoi rritje. Hyrjet e shqiptarëve arritën në 705,917, duke u rritur me 8.9% krahasuar me Shtatorin 2024.

Ndërsa sa i përket daljeve, numri i shqiptarëve që kanë dalë nga vendi ishte 772,655, me një rritje prej 10.7%.

Origjina e vizitorëve të huaj

Shtatorin e vitit 2025, 95% e hyrjeve të shtetasve të huaj ishin nga rajoni i Evropës. Evropa Jugore dominon me 69% të hyrjeve evropiane, ndjekur nga Evropa Perëndimore (12%) dhe Evropa Qëndrore/Lindore (11%).

INSTAT vë në dukje se të dhënat janë paraprake dhe se diferencat mes numrit të hyrjeve dhe daljeve, lidhen me lehtësimet kufitare gjatë sezonit turistik.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›