Bisedimet SHBA-Iran në rrezik, Teherani i quan “të pafrytshme” pas sulmeve izraelite

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ende nuk është vonë që Irani të arrijë një marrëveshje për programin e tij bërthamor, duke theksuar se një marrëveshje e tillë mund të ndihmojë në parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit me Izraelin.
Teherani dhe Uashingtoni kanë qenë të përfshirë në negociata për një marrëveshje të re që do të zëvendësonte paktin bërthamor të vitit 2015, nga i cili SHBA u tërhoq njëanshëm në vitin 2018 gjatë mandatit të parë të Trump.
Iranit i është bërë një ofertë e re nga SHBA, e cila është refuzuar nga Teherani, ndërsa raundi i radhës i bisedimeve ishte planifikuar të mbahej të dielën në Oman, sipas burimeve të Sky News.
Megjithatë, Ministria e Jashtme e Iranit ka reaguar pas sulmeve ajrore izraelite, duke e cilësuar dialogun si “të pafrytshëm”. Zëdhënësi Esmail Baghaei tha në një deklaratë për televizionin shtetëror iranian se “veprimi i SHBA-së e ka bërë të pamundur vijimin e suksesshëm të bisedimeve”.
Pavarësisht zhgënjimit, Baghaei nuk përjashtoi krejtësisht mundësinë e vazhdimit të dialogut. Agjencia iraniane e lajmeve Mizan, që drejtohet nga gjyqësori i vendit, citoi zëdhënësin duke thënë se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar për pjesëmarrjen në bisedimet e së dielës.
Tensionet mes Iranit, Izraelit dhe aktorëve ndërkombëtarë vijojnë të jenë të larta, ndërsa përpjekjet diplomatike për të shmangur një konflikt më të gjerë janë në një pikë kritike.
/vizionplus.tv