E Diel, 1 Nëntor 2026

Irani, “breshëri” raketash në Izrael, autoritetet në Tel Aviv u kërkojnë banorëve të qëndrojnë në vendstrehime

Lufta në Lindjen e Mesme ka përshkallëzuar me përplasje të forta ajrore mes dy armiqve të vjetër, Izraelit dhe Iranit.

Teherani kreu një valë të re sulmesh raketore në Tel Aviv dhe qytete të tjera të Izraelit gjatë natës dhe mëngjesit të kësaj të shtune.

Pak pas mesnate të shtunën, Izraeli tha se Kupola e Hekurt kishte kapur një valë të re raketash iraniane në Tel Aviv, Haifa dhe Jerusalem.

Kjo është dita e dytë radhazi që Irani kryen sulme ajrore në Izrael, si përgjigje hakmarrëse për një sulm shkatërrues që Izraeli i kreu një ditë më herët kundër objekteve të lidhura me programin bërthamor të Teheranit.

Nuk ka shenja se përleshjet e reja mes këtyre dy vendeve të Lindjes së Mesme do të ndalen.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u zotua se do të ndërmarrë sulme të mëtejshme kundër Iranit, në një operacion ushtarak që synon objektet bërthamore dhe ushtarake të rivalit të betuar.

Ndërsa sirenat binin në orët e para të mëngjesit, transmetimet e drejtpërdrejta televizive shfaqën një shpërthim të madh rreth orës 01:15 në Tel Aviv. Pamjet e mëvonshme shfaqën dëme në një kompleks apartamentesh, ndonëse hollësitë ishin të paqarta.

Ushtria izraelite u bëri thirrje banorëve të kthehen në strehimoret kundërajrore, ashtu siç kishin bërë një ditë më parë.

Rreth katër orë më vonë, teksa zbardhte dita në Izrael, u raportuan për sulme raketore në disa qytete. Shumica e raketave u rrëzuan nga mbrojtja ajrore, por zyrtarët raportuan dëme në disa shtëpi.

Zyrtarët thanë se të paktën tre njerëz janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur.

Kjo valë e fundit bombardimesh erdhi pas një dite të vështirë me sulme ajrore nga të dyja palët. Forcat izraelite kanë vazhduar goditjet ndaj objekteve bërthamore dhe ushtarake në Iran, duke vrarë kreun e Gardës Revolucionare, një gjeneral të lartë, zyrtarë të tjerë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›