Bizhga me dorë të hekurt, pezullon nga detyra Ulian Shpatarakun

Sipas burimeve nga Elbasani, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues i Lartë Sokol Bizhga, ka pezulluar nga detyra Drejtuesin Ulian Shpataraku, me funksion Asistent në Departamentin për Teknologjinë e Informacionit në Policia e Shtetit.
Mësohet se masa e pezullimit është marrë për moszbatim të hapur të dispozitave ligjore në përmbushjen e detyrave funksionale. Sipas të njëjtave burime, Shpataraku është aktualisht duke ndjekur studimet master në Akademia e Sigurisë, por dyshohet se, me argumentin e vijimit të studimeve, nuk paraqitej rregullisht në punë.
Burimet bëjnë me dije se ka ekzistuar një urdhër i qartë nga Drejtori i Përgjithshëm që studimet master të ndiqen jashtë orarit zyrtar të punës, çka sipas Policisë përbën shkelje në rast të mosrespektimit. Pritet që ndaj tij të vijojnë procedurat e mëtejshme administrative, në përputhje me rregulloren dhe legjislacionin në fuqi.