E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi fason kërkon masa mbështetëse: Të rishikohet TAP

TIRANË, 27 mars/ATSH/ Sektori fason kërkon ndërhyrje urgjente nga shteti shqiptar, ndërsa ka propozuar një paketë me 8 masa mbështetëse.

Shoqata “ProEksport Albania”, gjatë mbledhjes së sotme, kërkoi rishikimin e Tatimit mbi të Ardhurat Personale, duke propozuar që TAP të nisë nga pragu prej 50 mijë lekësh, nga 35 mijë lekë që është aktualisht.

Sipas tyre 70% e kostove të sektorit vjen nga fuqia punëtore ndaj çdo rritje page e kombinuar me TAP, ngre ndjeshëm barrën financiare për ta.

Kreu i shoqatës “Proeksport Albania”, Edvin Prençe e konsideroi shumë emergjente ndërhyrjen në TAP.

“TAP është një nga taksimet që duhet të ishte rritur automatikisht krahas edhe rritjes së pagës minimale, por një gjë e tillë nuk është bërë nga Ministria e Financës”, tha ai.

Po ashtu shoqata kërkon fiksimin e tregut valutor duke argumentuar se gjatë vitit 2025 sektori ka humbur 12 mijë vende pune nga efektet e kursit të këmbimit.

Paketa e masave të propozuara u është bërë e njohur edhe deputetëve në Komisionin e Ekonomisë.

Biznesi fason kërkon po ashtu edhe rimbursimin e kontributeve për të gjithë stafin për një periudhë 9-mujore, si dhe rritjen e koeficientit të amortizimit nga 20% në 40% për pajisjet dhe makineritë e prodhimit.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›