E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Bllokuan rrugën gjatë tubimit të djeshëm, 16 masa administrative ndaj protestuesve - ATSH -

TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Policia e Tiranës njoftoi sot se vendosi 16 masa administrative, në zbatim të Aktit Normativ, për protestues të cilët, sipas policisë, bllokuan rrugën dhe penguan qarkullimin e automjeteve gjatë tubimit të djeshëm.

Policia njoftoi se masat administrative janë vendosur pasi, gjatë tubimit të zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, këta shtetas kanë bllokuar rrugën, duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë, nëpërmjet megafonit, për lirimin e rrugës, nuk u janë bindur këtyre thirrjeve.

Sipas policisë, nga 16 masat administrative, 14 janë vendosur ndaj shtetasve të shoqëruar, ndërsa 2 të tjera janë vendosur bazuar në identifikimin e shtetasve nga pamjet filmike. Për secilin është vendosur masa e gjobës në vlerën 5 000 lekë.

Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për 2 shtetas të mitur, pasi më datë 02.11.2026, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar nga studentët, dyshohet se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe të maskuar, kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë protestës së djeshme.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

/m.q/r.e/a.f/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›