Bllokuan rrugën gjatë tubimit të djeshëm, ndëshkohen me 12 masa administrative - ATSH -
TIRANË, 6 nëntor /ATSH/ Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka vendosur 12 masa administrative gjatë mbrëmjes së djeshme, ndaj shtetasve që kanë kryer kundërvajtje administrative gjatë tubimit, duke bllokuar rrugën dhe penguar qarkullimin normal të mjeteve të transportit.
Në një njoftim për mediet, Policia e Tiranës bën të ditur se për secilin prej tyre është vendosur gjobë në vlerën 5 000 lekë.
“Në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, konkretisht pikës 2 të nenit 24/1, janë plotësuar 12 procesverbale për konstatimin e kundërvajtjeve administrative të kryera gjatë tubimit të zhvilluar pasditen e djeshme, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për shtetas që kanë bllokuar rrugën dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë, nëpërmjet megafonit. Për secilin prej këtyre shtetasve është vendosur masa administrative gjobë në vlerën 5 000 lekë”, njofton Policia e Tiranës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
/a.f/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
