Blushi: Turizmi po lëngon, duhet një plan i qartë për ta shpëtuar

TIRANË, 24 qershor /ATSH/ Sekretari i përgjithshëm i Partisë së Lirisë, deputeti i sapozgjedhur Tedi Blushi nëpërmjet një deklarate për mediet foli në lidhje me turizmin në vend.
Duke iu referuar Agjencisë Europiane të Mjedisit, Blushi tha se “raporti tregon realitetin e hidhur që propaganda nuk e mbulon dot më: vetëm 16% e ujërave në Shqipëri janë të përshtatshme për notim me cilësi të shkëlqyer, ndërsa 84% janë një rrezik për shëndetin publik”.
“Turizmi shqiptar po lëngon, jo nga mungesa e bukurive natyrore, por nga korrupsioni, paaftësia, babëzia dhe shpërfillja kriminale e Qeverisë”, tha Blushi.
Sipas Blushit “infrastruktura turistike vijon të jetë në gjendje skandaloze”.
Blushi tha se “rasti i dështimit në turizëm, është Vlora, qyteti simbol i turizmit shqiptar, që po mbytet në etje”.
“Prej javësh nuk ka ujë të pijshëm, sepse punonjësit e ndërmarrjes së ujësjellësit nuk janë në gjendje të çelin një rubinet me ujë të pijshëm për qytetarët dhe turistët e shumtë”, tha Blushi.
Blushi shtoi se kapacitetet turistike kanë rënë në mënyrë dramatike 50 deri në 70%.
“Shqipëria ka nevojë për një plan të qartë dhe konkret për të shpëtuar turizmin dhe me të, të ardhmen ekonomike të vendit”, u shpreh Blushi.
Blushi theksoi se “turizmi, si një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë kombëtare e familjare, meriton më shumë vëmendje për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave me pasuri natyrore të mrekullueshme dhe të gjithë Shqipërisë”.
“Është koha për të reflektuar mbi domosdoshmërinë për t’i dhënë frymëmarrje këtij sektori jetik për ekonominë, nëpërmjet një plani konkret, të qartë dhe efikas, që do të frenonte edhe shpopullimin e vendit, duke rikthyer shpresën për zhvillim të qëndrueshëm dhe të ardhme të sigurtë”, tha Blushi.
/m.q//a.f//r.e/