Boçi në Durrës: Reforma territoriale e vitit 2014 dështoi, territori nuk është thjesht tokë por identitet dhe pushtet

Nënkryetari i Partisë Demokratike dhe kryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Luciano Boçi, deklaroi nga Durrësi se reforma territoriale e vitit 2014 ka dështuar, duke theksuar se nevoja për një reformë të re buron nga problemet që, sipas tij, modeli aktual ka krijuar në përfaqësim, shërbime dhe zhvillim territorial.
Gjatë fjalës së tij, Boçi u shpreh se territori nuk mund të shihet thjesht si një ndarje administrative apo si tokë, por si identitet, përfaqësim dhe pushtet për komunitetet lokale.
Ai kritikoi mungesën e dëgjesave publike reale, duke argumentuar se qytetarët janë përjashtuar nga vendimmarrjet për projekte të rëndësishme lokale. Sipas tij, kjo ka sjellë konflikte dhe vendimmarrje të njëanshme në çështje madhore për Durrësin.
‘Po të kishte dëgjesa publike reale, Porti i Durrësit do të kishte një pamje tjetër, projekti TID do të ishte ndryshe dhe nuk do të kishim konfliktin për Velierën’, deklaroi Boçi.
Sipas tij, reforma territoriale e vitit 2014 nuk prodhoi rezultatet e premtuara, por përkundrazi thelloi diferencat mes zonave urbane dhe rurale, si edhe mes bashkive të pasura dhe atyre me më pak burime.
Duke marrë si shembull qarkun e Durrësit, Boçi përmendi zona me identitete historike si Sukthi dhe Manza, të cilat sipas tij sot përballen me mungesë infrastrukture dhe shërbimesh bazë.
Në vijim, ai bëri dallimin mes dy qasjeve për reformën territoriale. Sipas Boçit, mazhoranca synon ulje të mëtejshme të numrit të bashkive dhe vijimin e modelit të vitit 2014, ndërsa Partia Demokratike mbështet një model më të decentralizuar, që synon rritjen e përfaqësimit, forcimin e kompetencave dhe autonomisë financiare të pushtetit vendor.
Boçi theksoi se PD nuk kërkon rikthimin te 372 njësitë vendore të mëparshme dhe as ruajtjen mekanike të 61 bashkive ekzistuese, por një ‘optimizim funksional’ të numrit të bashkive mbi baza reale dhe jo politike.
Në argumentimin e tij, ai solli edhe modele europiane të decentralizimit, duke përmendur sistemet suedeze dhe gjermane si shembuj të funksionimit të pushtetit vendor mbi baza të forta financiare dhe kompetenca reale.
Në përfundim, Boçi deklaroi se reforma territoriale nuk po ndërmerret për të përmbushur kërkesa të Bashkimit Europian, por si një nevojë që vjen nga vetë qytetarët shqiptarë.
‘Qytetarët kërkojnë më shumë përfaqësim, më shumë shërbime dhe një pushtet vendor më pranë komuniteteve të tyre’, përfundoi ai.