E Diel, 1 Nëntor 2026

Bojkoti, Leskaj: E ke gabim doktor! Letra e deputetit vlonjat: Mos bëjmë gabimin e 2014!

20 shkurti, është dita e rrëzimit të mitit të Enver Hoxhës. Por protesta e javës tjetër e Partisë Demokratike, mund të rrëzojë një tjetër mit. Berisha shpalli 10 shkurtin si ditën Pro SPAK.

“Edi Rama ka asgjësuar drejtësinë, ka asgjësuar institucionin e akuzës për faktin e vetëm se nga ky institucion një prokuror guxoi të hetojë dosjen e tij. Ndaj përparësi absolute për çdo orë të ditës tuaj, organizimi sa më i fuqishëm i protestës së 10 shkurtit”,- tha Berisha.

Mesa duket, edhe data nuk është rastësi. Pavarësisht se 10 shkurti, dikur ka qenë festa e Debatikut, ajo përkon në të njëjtën javë me Shën Valentinin. A po nis një romancë e re mes doktorit dhe SPAK? Për momentin, Berisha është i entuziazmuar me sukseset e janarit. Udhëtimi në Strasburg i ka lënë shije të mirë. Rama tha se është në rreth të kuq, mund të shkelë vërtet në Amerikë, por edhe ai nuk shkel dot aty ku shkel doktori. Sali Berisha e shpalli Këshillin e Europës, ekstraterritorialitet të PD-së.

“Unë e di se ky po bën përpjekje të mëdha për të shkuar përsëri, se ky kështu e ka, por do të më falin shqiptarët, por aty nuk ka vend për narkodiktatorë. Në rast se ky synon të shkojë në atë seli, shqiptarët e Francës dhe Gjermanisë do t’i ketë para saj. Po, do të organizohet një nga protestat më të fuqishme”- shtoi Berisha.

Pra në Tiranë, apo Strasburg, Sali Berisha mendjen e ka te rruga. Por jo të gjithë mendojnë si ai. Deputeti i PD-së, Bujar Leskaj, mendon se braktisja e reformave, është autogoli më i madh edhe se i Lulzim Bashës.

“Nëse ne, si PD, nuk i shkojmë deri në fund rishikimit të Reformës Administrativo-Territoriale, i japim një mundësi të dytë qeverisë së sektit Rama për ta deformuar edhe më tej këtë reformë, me efekte tërësisht jashtë interesit të qytetarëve. Gabimi i dytë është gjithmonë më i madh se i pari.”-shprehet Leskaj.

Leskaj nuk ishte në mbledhjen e grupit për t’ia thënë mendimin e tij Berishës. Mungesa ishte pa arsye. Të tjerë munguan me arsye. Disa deputetë kanë ikur në SHBA për Mëngjesin e Lutjeve. Lutja e Gazit nuk dihet, kurse e Belindit me siguri për t’i hequr non gratën. Shanset kësaj radhe që lutjet të dëgjohen, janë më të mëdha. Bashkë me ta, udhëton edhe Albana Vokshi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›