Bollano i shmanget seancës së parë në gjykatë
Kryetari i bashkisë ka dërguar avokatin mbrojtës në procesin ku akuzohet për heqjen e tabelave në gjuhën shqipe
VLORË- Kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, ka preferuar që të mos paraqitet në seancën e parë të gjyqit kundër tij. Ai akuzohet nga prokuroria e Vlorës për shpërdorim detyre në lidhje me heqjen e tabelave në gjuhën shqipe në akset rrugore të njësisë vendore që ai përfaqëson.
Ka qenë vetë kreu i prokurorisë së Vlorës, Sokol Malaj, ai që ka paraqitur dje akuzën para gjykatës për kryetarin e Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Në seancën e zhvilluar dje në gjykatën e Vlorës, nën drejtimin e gjyqtarit Shkëlzen Selimi, janë dëgjuar pala e akuzës, përfaqësuar nga Malaj si dhe avokati mbrojtës Petraq Çurri. Prokuroria akuzon Bollanon se ka shpërdoruar 2.1 milionë lekë të reja për të zëvendësuar tabelat përgjatë rrugës në komunën e Himarë,s gjë e cila bie në kundërshtim me nenin 248 të Kodit Penal. Sipas Malajt, urdhri i nxjerrë nga Bollano, i cili ju paraqit trupit gjykues me cilësinë e provës materiale, ka dhënë premisa për çrregullimin e qarkullimit rrugor në aksin Qeparo Llogora, ku edhe janë hequr tabelat. Gjithçka ka filluar në datën shtatë dhjetor të vitit të kaluar kur me urdhër të Bollanos janë hequr gjithë tabelat përgjatë rrugës nacionale, tabela këto të vendosura pas një tenderi të zhvilluar në Ministrinë e Transporteve. Prokuroria i ka kërkuar dje trupit gjykues të administrojë disa prova materiale për heqjen e tabelave, si dhe ka paraqitur një listë me dëshmitarë, të cilët duhet të dëshmojnë në seancat e tjera gjyqësore. Midis tyre, prokurori Malaj ka kërkuar edhe paraqitjen e Bollanos.
Por vetë kryebashkiaku nuk ka qenë i pranishëm dje në gjyq, por është përfaqësuar me avokatin e tij, Petraq Çurri. Pala mbrojtëse e ka quajtur akuzën të pabazuar. “Janë faktorë të tjerë, jo ligjorë, që kanë shtyrë prokurorinë të nisë këtë procedim”,- tha Çurri. Sipas tij, firma tenderuese ka operuar me një vlerë mbi pesë milionë lekë në zonë, pa marrë më parë miratimin e strukturave vendore, pasi ka vendosur në tabela logon e bashkisë Himarë. Referuar prezencës së Bollanos, pyetur pas seancës gjyqësore, Curri tha se klienti i tij mund të paraqitej nëse do të shihej e arsyeshme prezenca e tij. Vasil Bollano, është marrë i pandehur nga prokuroria për heqjen e sinjalistikës rrugore nga fshati Qeparo deri në Qafë- Llogora. Sipas prokurorisë, pas verifikimeve në terren, ka rezultuar se policia bashkiake e Himarës i ka hequr ato me urdhër të kryetarit Vasil Bollano. Heqja e tyre për organin e akuzës përbën shkelje ligjore, e shoqëruar me një dëm ekonomik prej 21 milionë lekësh, për të cilën Bollano duhet të japë llogari para gjykatës së Vlorës. Seanca e radhës për kreun e bashkisë së Himarës do të zhvillohet në datën nëntë korrik.