Shkodër, burg pa afat vrasësit të kushëririt
Gjergj Bujaj ka vrarë gabimisht kushëririn dhe që nga ajo ditë ka tentuar dy herë që të kryejë vetëvrasje
SHKODËR- Arrest në burg ka qenë masa e sigurisë së dhënë dje nga gjykata e shkallës së parë në Shkodër për 23- vjeçarin Gjergj Bujaj, i cili më date 28 qershor vrau nga pakujdesia kushëririn tij. Para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtarja Ermira Dedja, i akuzuari për vrasje nga pakujdesia është paraqitur i tronditur ndërsa në sallë ka qenë i pranishëm vetëm vëllai i tij. Prokurorja Marjana Shtjefni ka lexuar akuzën dhe ka treguar detajet e ngjarjes. Petrit e Gjergj Bujaj, kushërinj të tretë mes tyre dhe mjaft shokë kanë qenë në një lokal në fshatin Selcë. Sipas dëshmive nga vendi i ngjarjes, Gjergj Bujaj ka nxjerrë pistoletën që ia kishte marrë pa dijeni babait të tij, efektiv i policisë pyjore dhe ia ka vënë në gjoks duke luajtur viktimës. Ky i ka kërkuar ta heqë nga dora duke i thënë metë qeshur se “e mbush djalli”. Gjergj Bujaj, për ta bindur se arma nuk ishte e mbushur e ka hequr karikatorin e saj, ndërsa e ka drejtuar tytën tek koka e viktimës. Pa e ditur se ajo kishte plumb në gojë, ai ka bërë shkrepje të pavullnetshme, e cila e ka goditur në kokë kushëririn e tij duke i sjellë vdekjen e menjëhershme. Në atë moment Gjergj Bujaj ka marrë karikatorin që e ka pasur në tryezë, e ka vendosur në pistoletë dhe e ka mbushur duke ia drejtuar vetes. Personat që kanë qenë në lokal kanë ndërhyrë duke ia hequr armën nga dora. Më pas ka qenë vetë Gjergj Bujaj që ka lajmëruar sallën operative të policë për atë që kishte ndodhur. Dhe në paraburgim, ai ka tentuar të dëmtojë veten me prerje damarësh, madje shenjat e një tentative të tillë dukeshin dhe dje në gjyq, në dorën e majtë të të pandehurit. Ai nuk ka mundur ta kryejë këtë veprim pasi mjetet për ta bërë atë i kanë munguar dhe policët e kanë penguar për të kryer veprime të tilla duke e mbikëqyrur vazhdimisht. Edhe pse avokati mbrojtës dhe familja e viktimës kanë kërkuar një masë sigurie më të lehtë, gjykata nuk e ka pranuar.