E Diel, 1 Nëntor 2026

Bora Muzhaqi në “Trialog”: Shqipëria ka ecur me ritëm rekord në procesin drejt BE-së

E ftuar në emisionin “Trialog” në RTSH, deputetja e Partisë Socialiste, Bora Muzhaqi, foli mbi procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe ecurinë e negociatave me Bashkimin Evropian.

Muzhaqi u shpreh se në rastin e IBAR-it nuk kishte një afat të përcaktuar nga institucionet evropiane, ndaj sipas saj nuk mund të flitet për vonesa apo përgatitje të hershme nga ana e Shqipërisë.

Deputetja theksoi se procesi i diskutimeve mes Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare ishte një procedurë normale, pasi çdo shtet paraqet kërkesat dhe prioritetet e veta në raportin e IBAR-it.

“Mendoj se sa herë flasim për vonesa apo për përgatitje para kohe duhet marrë parasysh se rasti i IBAR-it nuk kishte një afat specifik. E kam diskutuar shpesh në diskutime që janë bërë që dikush thotë ishte vonë apo ishte herët. Realiteti ishte që ne nuk kishim një afat të përcaktuar që dikush kishte thënë nga Bashkimi Evropian apo nga institucione përgjegjëse që mund të thoshte se IBAR do dali në filan muaj apo që do kaq muaj për tu arritur përfundimi për rastin e IBAR-it”, u shpreh Muzhaqi.

Sipas Muzhaqit, miratimi i fundit nga ana e BE-së është një tregues i qartë i progresit të Shqipërisë në rrugën europiane.

Në deklaratën e saj, Muzhaqi përmendi edhe komisioneren europiane Marta Kos, duke nënvizuar se ajo kishte vlerësuar punën e Shqipërisë gjatë 10 viteve të fundit.

Deputetja socialiste shtoi se, edhe në periudhat kur Bashkimi Evropian ka kaluar ngërçe të brendshme, Shqipëria nuk e ka ndalur punën për reformat dhe negociatat, duke ecur me ritme të shpejta krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Duke qenë se nuk kishte një deadline i gjithë procesi i bërë midis komisionit dhe vendeve anëtare, ishte një proces i natyrshëm për të gjitha rastet e tilla sepse secili shtet ka pretendimet e tyre, ka mbi të gjitha pikat e veta të rëndësishme që kërkon të evidentoj në raportin e IBAR. Ajo që vlen për tu theksuar është fakti që tashmë është dhënë drita jeshile nga ana e BE, që do të thotë se ato janë bindur mbi të gjitha punët që Shqipëria ka bërë. Jo më kot edhe Marta Kos në diskutimin e saj më herët kishte përmendur punën e bërë nga Shqipëria këto 10 vitet e fundit. Pati një periudhë ngërçi nga ana e BE-së dhe Shqipëria nuk e ndaloi punën dhe kjo është arsyeja pse negociatat ecën shpejt. Edhe pse BE-ja jo gjithmonë na ka dhënë dritën jeshile momentet kur BE ka hapur derën ne kemi ecur me një ritëm rekord të ndryshëm dhe për tu lëvduar krahasimisht me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm”, tha deputetja.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›