Bozdo: Durana Park rrezikon futjen e Shqipërisë në listën gri të BE-së

TIRANË, 11 qershor /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo deklaroi sot se mënyra e operimit të Durana Park ngre pikëpyetje në lidhje me transparencën dhe zbatimin e legjislacionit, ndërsa kërkoi më shumë informacion për kompanitë e regjistruara në këtë park.
Në interpelancën e kërkuar në Kuvend me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, Bozdo tha se mungesa e përgjigjeve lidhur me subjektet e regjistruara në Durana bie ndesh me standardet e transparencës dhe llogaridhënies.
“Sot, jemi një situatë që ngre dyshime, kur shohim se në park figuron Ermal Beqiri dhe shumë kompani të shoqërisë së tij të themeluara në fund të vitit 2024. Ky person është në akuza të rënda nga SPAK, si pjesë e grupit kriminal të AKSHI-t”, tha ai.
Deputeti Bozdo u shpreh se modeli i regjistrimit virtual të kompanive në park mund të krijojë probleme në konkurrencë dhe në zbatimin e kuadrit ligjor që rregullon funksionimin e tij.
Bozdo theksoi se Shqipëria ka ratifikuar konventa ndërkombëtare që kërkojnë substancë ekonomike reale për subjektet që përfitojnë nga regjime të veçanta fiskale, duke përfshirë staf, asete dhe aktivitete të verifikueshme kërkim-zhvillimi.
“Aplikimi i incentivave fiskale duhet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare të tatimit minimal global, duke paralajmëruar se çdo devijim nga këto standarde mund të krijojë pasoja për të ardhurat buxhetore dhe procesin e integrimit evropian të vendit.
Bozdo nënvizoi se “nëse ky park është i klientëve të Qeverisë, atëherë kjo çështje duhet parë”.
“Kompanitë e mëdha ndërkombëtare vendosin një tatim minimal prej 15%. Nëse do ofroni 0% taksa, diferencën prej 15% do ta mbledhin shtetet e tjera partnere, duke e bërë këtë skemë një humbje të kotë të të ardhurave për buxhetin e shtetit dhe duke rrezikuar rifutjen në listën gri të BE-së për parajsë fiskale dhe shpenzine që i shmangen bazës së taksimit”, theksoi Bozdo.
/e.i/r.e/a.f/