E Diel, 1 Nëntor 2026

Forcohet bashkëpunimi mes administratave tatimore të Shqipërisë dhe Kosovës

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e Shqipërisë dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) kanë riafirmuar angazhimin për forcimin e bashkëpunimit strategjik në funksion të modernizimit të administrimit tatimor dhe rritjes së efikasitetit institucional.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, zhvilloi një vizitë pune në Prishtinë, ku u prit nga drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, së bashku me stafin drejtues të institucionit.

Gjatë takimit u diskutua mbi një sërë çështjesh me rëndësi strategjike, përfshirë strategjinë e mbledhjes së të ardhurave, komunikimin me tatimpaguesit, procedurat e mbledhjes me forcë, menaxhimin e detyrimeve të papaguara, si dhe praktikat që ndikojnë në rritjen e përmbushjes tatimore dhe efikasitetit administrativ.

Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet dy administratave, duke theksuar se shkëmbimi i përvojave dhe ekspertizës profesionale është thelbësor për adresimin e sfidave të përbashkëta dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

Nga ana e tij, drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional, duke nënvizuar rëndësinë e shkëmbimit të praktikave më të mira dhe koordinimit në fusha me interes të përbashkët.

Të dy institucionet riafirmuan përkushtimin për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe mbështetjen e reformave që synojnë rritjen e performancës institucionale, përmirësimin e përputhshmërisë tatimore dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për tatimpaguesit. /j.p/

1 nga 4

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›