Braçe kundërshton alarmin për TVSH-në 21%: Biznesi i vogël nuk do të paguajë asnjë lek tatim mbi fitimin deri në 2029

Deputeti socialist Erion Braçe ka kundërshtuar pretendimet se bizneset e vogla do të paguajnë 21% TVSH me ndryshimet e parashikuara në Paketën Fiskale 2027. Në një postim në rrjetet sociale këtë të diel, ai ka sqaruar se bizneset me xhiro deri në 5 milionë lekë përjashtohen nga detyrimi për t’u regjistruar në regjimin e TVSH-së, ndërsa tatimi mbi fitimin për bizneset e vogla dhe profesionistët e lirë do të mbetet zero deri në vitin 2029.
Qëndrimi i Braçes vjen në të njëjtën ditë kur deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, kritikoi uljen e pragut të TVSH-së në 5 milionë lekë dhe propozimin për normën standarde 21%, duke paralajmëruar se këto ndryshime do të shtojnë presionin mbi bizneset e vogla dhe profesionistët e lirë.
“Jo, biznesi i vogël nuk do të paguajë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar; as 21%!”, shkruan Braçe, duke renditur pesë sqarime për mënyrën se si do të zbatohet TVSH-ja.
Postimi i plotë i Erion Braçes:
“Jo, biznesi i vogël nuk do të paguajë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar; as 21%! T’u themi njerëzve dhe biznesit të vogël të vërtetën:
- Nuk është e vërtetë që biznesi i vogël me xhiro deri në 5 milionë lekë do të paguajë 21% TVSH; E vërteta është që ky biznes përjashtohet nga detyrimi për t’u regjistruar në regjimin e TVSH-së.
- Nuk është e vërtetë që biznesi i vogël me xhiro nga 5 deri në 10 milionë lekë do të paguajë 21% TVSH; E vërteta është që ky biznes do të regjistrohet në regjimin e TVSH-së, siç është biznesi i vogël me xhiro 10-14 milionë lekë që është aty, i pasulmuar, i pakontrolluar, i pafalimentuar, duke punuar, prodhuar, tregtuar, arkëtuar e fituar të ardhura.
- Nuk është e vërtetë që TVSH-ja është tatim ndaj biznesit; E vërteta është që TVSH-ja është tatim konsumi, tatim mbi konsumatorin, e paguaj unë që ble për çdo mall e shërbim që marr, tani edhe te biznesi i vogël. Biznesi, si agjent i qeverisë, e mbledh nga unë e duhet ta derdhë në buxhetin e shtetit; pra, e paguaj unë, jo biznesi, as biznesi i vogël.
- Nuk është e vërtetë që 17 mijë biznese të vogla po sulmohen duke i regjistruar në regjimin e TVSH-së; E vërteta është që për ta funksionon e njëjta logjikë: TVSH-në e paguan konsumatori, jo biznesi. Ka edhe një të vërtetë tjetër: shumica e këtyre bizneseve janë shërbime, tregti, mbi të gjitha ushqimore; shumica e produkteve të tyre nga 1 janari kanë një TVSH të ulur nga 20 në 6%, duke ndihmuar konsumin, konsumatorin dhe xhiron e këtyre bizneseve.
- Nuk është e vërtetë që profesionistët e lirë do të paguajnë 21% TVSH, siç nuk është e vërtetë që veç ata janë shtresë e mesme në këtë vend; E vërteta është që edhe për ta, TVSH-në do ta paguajë marrësi i shërbimeve apo mallrave prej tyre, me faturë, si të gjithë. I vetmi tatim që duhet të paguajë biznesi i vogël dhe profesionistët e lirë, si rregull, është tatimi mbi të ardhurat, tatimi mbi fitimin. Ky tatim ka qenë, është dhe do të jetë deri në 2029, zero për qind, zero lekë!” thotë Braçe