Braktisja e kafshëve rritet në Dubai mes largimit të të huajve nga tensionet në rajon

DUBAI, 9 mars, ATSH/ Ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme kanë shtyrë shumë familje të huaja të largohen me shpejtësi nga Dubai, një dramë më pak e dukshme po zhvillohet në rrugët e qytetit: braktisja e kafshëve shtëpiake.
Vullnetarë dhe strehimore për kafshë raportojnë një rritje të rasteve të qenve dhe maceve të lëna në rrugë ose përpara klinikave veterinare. Sipas tyre, disa pronarë, të kapur nga paniku ose nxitimi për t’u larguar nga vendi, madje kanë kërkuar nga veterinerët që kafshët e tyre të eutanazohen.
Organizatat e shpëtimit thonë se situata po del jashtë kontrollit. Strehimoret janë të mbushura, ndërsa kërkesat për ndihmë rriten çdo ditë dhe shumë kafshë përfundojnë të braktisura.
“Çdo ditë dikush lë një mace para derës,” ka treguar një vullnetare, duke përshkruar një realitet që po bëhet gjithnjë e më i shpeshtë. Në një rast tjetër, një qen i racës Saluki u gjet i lidhur në një shtyllë me jakën aq të shtrënguar sa i kishte prerë qafën.
Vullnetarët raportojnë gjithashtu dhjetëra mesazhe nga emigrantë që kërkojnë ndihmë për të sistemuar kafshët e tyre përpara se të largohen nga vendi. Ka edhe raste të qenve të lëshuar nga pronarët ndërsa përpiqen të kalojnë kufirin me Omanin.
Claire Hopkins, një vullnetare britanike që shpëton qen në Emiratet e Bashkuara Arabe, thotë se paniku po nxit braktisjet.
“Po shohim shumë stres dhe panik mes pronarëve të kafshëve. Shumë prej tyre duan t’i kthejnë kafshët që kishin adoptuar. Tashmë po shohim gjithnjë e më shumë qen të braktisur,” tha ajo.
Sipas Hopkins, një nga problemet kryesore janë rregullat shëndetësore për transportin e kafshëve. Për shembull, për t’i çuar në Mbretërinë e Bashkuar kërkohet vaksina kundër tërbimit dhe një periudhë pritjeje prej rreth tre javësh përpara udhëtimit.
Ndërkohë, Anso Stander, e cila drejton strehimoren “Six Hounds” në Emiratet e Bashkuara Arabe, thotë se kërkesat për ndihmë janë rritur ndjeshëm. Në një ditë të vetme, ajo ka marrë 27 mesazhe nga persona që kërkonin ndihmë për kafshët e tyre.
Shpëtimtarët paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet më tej tani që fluturimet komerciale në rajon po rifillojnë gradualisht. Me mijëra të huaj që përgatiten të largohen, strehimoret kanë frikë nga një valë e re braktisjesh.
Nga Mbretëria e Bashkuar ka ardhur edhe një apel për ata që po largohen nga Dubai. Hannah Mainds, drejtoreshë ekzekutive e një organizate për mbrojtjen e kafshëve, thekson se kafshët nuk duhet të bëhen viktima të harruara gjatë krizave.
“Kafshët varen plotësisht nga pronarët e tyre. Ato nuk mund ta kuptojnë pse familja e tyre zhduket papritur,” tha ajo, duke bërë thirrje që pronarët të përgatisin paraprakisht dokumentet, vaksinat dhe mikroçipin e kafshëve përpara çdo udhëtimi.
“Ka kompani dhe organizata që mund të ndihmojnë me transferimin. Por braktisja e një kafshe nuk duhet të jetë kurrë zgjidhja,” përfundoi ajo.