E Diel, 1 Nëntor 2026

QSUT hap kabinetin e parë vestibular për pacientët me çrregullime të veshit të brendshëm

TIRANË, 9 mars /ATSH/ Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, në shërbimin e Otorinolaringologjisë (ORL) është hapur kabineti i ri që do të realizojë testim vestibular për pacientë të grupmoshave të ndryshme.

Kryeministri Edi Rama, ndau pamje nga kabineti i ri, ndërsa shkruan se ky lloj testimi vlen për pacientët që vuajnë nga probleme të veshit të brendshëm dhe do të kryhet në kabinetin e vlerësimit vestibular.

“Rreth 1/3 e pacientëve që paraqiten në ORL kanë nevojë për këtë testim, i cili ofron një vlerësim të saktë të shkakut të sëmundjes dhe ndihmon në orientimin e trajtimit dhe rehabilitimit të duhur”, shkruan Rama.

Kabineti është ngritur falë një projekti të financuar nga Agjencia Kombëtare e Kujdesit Shëndetësor dhe Inspektimit (AKKSHI), në bashkëpunim me Universitetin e Mjekësisë të Tiranës (UMT), duke e bërë këtë kabinet të parin të këtij lloji në sistemin publik shëndetësor shqiptar.

Shefja e shërbimit të ORL-së në QSUT, Brikena Qirjazi shprehet se ky kabinet plotëson të gjithë nevojat për kontrollin e problemeve që lidhen me veshin e mesëm te pacientët që paraqiten në QSUT.

Dr. Evis Bendo tha se kjo pajisje bën përcaktimin e diagnozës për patalogjitë e marramendjeve sepse ndan natyrën e problemit, nëse lidhet direkt me veshin apo probleme me trurin dhe ato periferike.

“Ky ekzaminim ka vite që i ka munguar këtij shërbimi, ndërsa tani është këtu në shërbim të pacientëve. Problemet më të mëdha janë të marramendjeve, por jo të gjitha do të kalojnë nëpërmjet këtij vlerësimi sepse ka edhe diagnoza që janë më të thjeshta”, tha Bendo.

Njëherësh, Dr.Brikena Qirjazi shtoi se ky kabinet vlen edhe për specializantët dhe mjekët ORL të ardhshëm që tashmë kanë mundësinë që të plotësojnë kërkimet apo studimet e tyre akademike duke praktikuar testimin vestibular.

Ky kabinet pritet të ofrojë një standard më të lartë diagnostikimi dhe trajtimi për pacientët me çrregullime vestibulare, duke sjellë një avancim të rëndësishëm në fushën e ORL-së.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›