Bregu në “3D”: Opozita ka të drejtë të protestojë, por s’ka fuqi të marrë atë që kërkon

Gazetari Zylyftar Bregu ka analizuar situatën e tensionuar politike me të cilën nisi sesioni i ri parlamentar, duke e vendosur theksin te domosdoshmëria e dialogut politik si kusht për integrimin në BE.
I ftuar në emisionin “3D” nga Alban Dudushi në RTSH, Bregu u shpreh se pavarësisht formës, opozita është në legjitimitetin e saj për të reaguar ndaj asaj që e cilëson si kapje të institucionit të Kuvendit.
Bregu theksoi se aksioni opozitar, përfshirë mbështetjen për SPAK në rastin e komisionit të mandateve, është i justifikuar politikisht.
“Opozita është në të drejtën e vet për të protestuar dhe për të denoncuar Kuvendin, që e akuzon si shtojcë të Ramës. Një nga kushtet për anëtarësim në BE është dialogu politik pozitë-opozitë. Përjashtimi i opozitës apo krijimi i kushteve për vetë-përjashtim është gabim,” u shpreh ai.
Analisti kritikoi qasjen e shumicës socialiste, duke kërkuar më shumë tolerancë nga ata që kanë “timonin” e pushtetit. Sipas tij, gjuha e komunikimit mund të gjendet vetëm nëse pushteti tregon përulësi.
Megjithatë, Bregu bëri dhe një lexim të forcës së opozitës në këtë moment. Ai vlerësoi se, pavarësisht të drejtës për të protestuar, opozita nuk e posedon fuqinë politike për të imponuar kërkesat e saj.
“Nuk mendoj se opozita është në fuqinë e saj për të marrë atë që po kërkon. Ajo ka treguar se ka marrë pjesë në këto komisione të reformës zgjedhore dhe të ndarjes territoriale, dhe ka bërë marrëveshje,” argumentoi Bregu, duke sugjeruar se kompromisi është rruga e vetme e mundshme, por kërkon vullnet nga të dyja palët.
/rtsh.al/