E Martë, 3 Nëntor 2026

Breshëri dëmton serrat në Cërrik – Bashkia ka nisur punën për vlerësimin e dëmit në njësinë Selitë

Do të mjaftonin vetëm 5 minuta reshje të dendura të se premtes së kaluar që fermerët e njësisë administrative Selitë të Cërrikut të përjetonin një skenë tronditëse. Serat e sapo ngritura duke pritur vjeljet e tyre ishin shkatërruar totalisht duke shkaktuar dëme të mëdha.

“Siç e shikoni është 100 milion lekë dëm, plus serra. Kërkojmë të kompensohet aq sa e vlerëson shteti”, u shpreh një fermer.

E vetmja gjë që i gëzon fermerët e dëmtuar  është se në momentin e stuhisë ishin në banesat e tyre.  Nëse do të ndodheshin në sera duke punuar, pasojat do të shtriheshin edhe tek vetë ata.

“Dy ditë kam që e përfundova po e bëja gati me pikatore, stuhia ma mori për 5 minuta”, u shpreh një tjetër fermer.

Bashkia e  Cërrikut,  menjëherë pasi u njoh me rastin, ka ngritur grupin e punës për llogaritjen e dëmeve dhe kompensimin e tyre.

‘Ne jemi në procedura e sipër duke llogaritur edhe dëmet për çdo familje, duke nxjerrë dhe një preventiv të dëmtimeve qoftë të serrave apo dhe të prodhimit që ka pasur në këto serra. Ky dëm i shkaktuar është i vështirë për tu përballuar 100% nga fondet e bashkisë”, u shpreh Drejtori i Bujqësisë, bashkisë Cërrik, Çerçiz Shabani.   

Janë gjithsej 9 familje fermere të cilat kanë pësuar dëme të konsiderueshme në sera. Ata shpresojnë që pas kompensimit t’i kthehen edhe njëherë normalitetit në punën me serat.

/RTSH/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›