Breshëri godet Maliqin dhe Korçën, fermerët raportojnë dëme në bujqësi

Reshjet e breshërit kanë përfshirë zona të gjera në Maliq dhe Korçë, duke shkaktuar shqetësim të madh tek fermerët për dëmet e mundshme në bujqësi.
Sipas informacioneve paraprake, breshëri ka rënë me intensitet në fshatrat Vlocisht, Libonik dhe Vashtëmi në Maliq, si edhe në Bulgarec dhe Çiflig në Korçë.
Kjo situatë ka ndikuar negativisht në kulturat bujqësore, veçanërisht në këtë periudhë të rëndësishme të sezonit, kur prodhimet janë në fazë zhvillimi.
Fermerët e zonave të prekura raportojnë për dëme të konsiderueshme në të mbjellat, duke ngritur shqetësimin për humbje të prodhimit dhe të ardhurave.
Autoritetet lokale pritet të kryejnë një vlerësim në terren për të përcaktuar shkallën e plotë të ndikimit dhe për të marrë masa mbështetëse.
Reshjet e breshërit në këtë kohë të vitit rrisin pasigurinë për sektorin bujqësor, duke e bërë të domosdoshme ndërhyrjen e institucioneve për kompensim dhe mbështetje, në mënyrë që fermerët të mos përballen me humbje të pakthyeshme.
/rtsh.al/