E Diel, 1 Nëntor 2026

Bufi: Presidenti të mos dekretojë titujt e pronësisë

Tiranë- Anëtari i kryesisë së PS-së, Ylli Bufi ka kërkuar dje nga presidenti i Republikës, Bamir Topi mosdekretimin e ligjit për titujt e pronësisë. Ligj, që ai e ka cilësuar me efekte negative dhe që u miratua në parlament nga shumica me minimumin e votave të nevojshme.

Gjatë një deklarate për shtyp, Bufi ka kujtuar se grupi parlamentar i PS-së ka vendosr dërgimin e ankesës në Gjykatën Kushtetuese.

“Ky ligj do të bëjë verifikimin e të gjithë veprimeve abuzive që janë bërë deri më sot. Ky është argumenti kryesor i këtij projektligji. Kurse në fakt që nga titulli edhe nga përmbajtja ligji krijon disa komisione që do të japin edhe njëherë tituj pronësie. Duhet të kemi parasysh një gjë: që deri më sot pronësinë e kanë përcaktuar dy ligje, ligji i “Tokës Bujqësore”, keni parasysh komisionet pluraliste të ndarjes së tokës dhe dekreti i presidentit të atëhershëm për shpërndarjen e tokës bujqësore”- tha ai.

Sipas tij, kërkohet rishikimi i këtij procesi. Ai ka deklaruar se ligji nga pikëpamja e teknikës legjislative është së pari i papranueshëm, sepse kapitulli i parë i këtij ligji përpiqet që të shpjegojë se cilat raste janë të ligjshme dhe cilat janë të paligjshme. Pra, titujt e pronësisë të dhëna me ato ligje, nuk mund t’i diskutosh me një ligj tjetër. “Kjo është çështja e parë e papranueshme që është tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, por edhe me gjithë praktikat legjislative në gjithë vendet me përfaqësi demokratike, siç është edhe vendi ynë”- tha ai.

Ndërkohë, ky ligj sipas Bufit, do të ketë ndikime tepër të rënda për të gjithë procesin e pronësisë. Problemi është se vihet seriozisht në pikëpyetje i gjithë regjimi delikat apo regjimi problematik i pronësisë që kemi në vendin tonë. Një nga problemet më të mëdha të këtij tranzicioni është fakti se ende nuk kemi të konsoliduar regjimin e pronësisë, akoma pronat nuk dihet të kujt janë.

“Në kohën, kur duhet të ketë një iniciativë qeveritare, apo një iniciativë madje edhe më gjerë se të një maxhorance, për të konsoliduar regjimin e pronësisë, ndërmerret një iniciativë që e vë në pikëpyetje plotësisht regjimin e pronësisë”- shtoi më tej ai.

Rasti i tretë që për mendimin e PS-së është sërish mjaft antikushtetues, është fakti që komisionet i çojnë rastet konkrete në një proces gjyqësor dhe janë ato pastaj që e marrin vendimin. “Në fund të fundit gjithë përpjekjet e opozitës për të hequr komisionet e krijimit të titujve të pronësisë, përsëri do të jenë këto komisione që do të jenë pjesë e shumicës së sotme parlamentare dhe tërësisht të drejtuar nga prefekti i qeverisë”- përfundoi ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›