E Diel, 1 Nëntor 2026

Bullgaria voton për presidentin e ri, garë e ngushtë mes dy kandidatëve! Lufta ndan Jotovën dhe Gjurovin: Dialog me Moskën apo mbështetje për Kievin?

Bullgarët u janë drejtuar këtë të diel kutive të votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, ku përballen presidentja aktuale Iliana Jotova dhe ish-kryeministri i përkohshëm Andrej Gjurov. Dy kandidatët kanë qëndrime krejt të ndryshme për luftën në Ukrainë dhe marrëdhëniet me Rusinë.

Votimi i 1 nëntorit vjen pas një raundi të parë me pjesëmarrjen më të ulët të regjistruar ndonjëherë në zgjedhjet presidenciale në Bullgari.

Në votimin e 25 tetorit, Jotova mori 34.76% të votave, ndërsa Gjurov 31.95%, një diferencë prej më pak se tri pikësh përqindjeje.

Jotova, e cila mban qëndrime miqësore ndaj Moskës, kundërshton ndihmën ushtarake për Ukrainën. Përballë saj është Gjurov, i mbështetur nga opozita pro-perëndimore dhe një mbështetës i hapur i Kievit.

Megjithëse posti i presidentit në Bullgari ka kryesisht funksione ceremoniale, kreu i shtetit mund të emërojë qeveri të përkohshme gjatë krizave politike, është komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura dhe ka të drejtën e vetos ndaj ligjeve.

Lufta në Ukrainë përçan kandidatët

Lufta në Ukrainë është kthyer në një nga çështjet kryesore të këtyre zgjedhjeve. Bullgarët votojnë në një kohë kur shqetësimet për sigurinë në Detin e Zi janë shtuar, pas rritjes së sulmeve me dronë ndaj anijeve tregtare.

Jotova e ka paraqitur veten si një “presidente e paqes”, duke mbështetur dialogun me Moskën.

Gjatë një debati televiziv përpara raundit të dytë, Gjurov e akuzoi kundërshtaren se shmang kritikat e drejtpërdrejta ndaj Rusisë për sulmet në Detin e Zi.

“Rusia duhet ta ndalë agresionin e saj, në mënyrë që të mund të ndërmerren hapat e mëtejshëm. Le ta përmendim me emër vendin nga i cili vijnë kërcënimet”, deklaroi ai.

Jotova iu përgjigj duke këmbëngulur se “paqja mund të vijë vetëm përmes negociatave”.

Sipas saj, vazhdimi i ndihmës për Ukrainën “çon vetëm në më shumë shkatërrim dhe vdekjen e shumë njerëzve nga të dyja palët”.

Mes Rusisë dhe Perëndimit

Nëse fiton zgjedhjet, Jotova pritet të ndjekë një linjë të ngjashme me atë të kryeministrit Rumen Radev, duke ruajtur orientimin europian të Bullgarisë, por njëkohësisht duke kërkuar marrëdhënie më të afërta me Rusinë dhe heqjen e sanksioneve ndaj Moskës.

Fitorja do ta bënte atë gruan e parë të zgjedhur presidente të Bullgarisë.

Nga ana tjetër, Gjurov ka mbajtur më parë postin e zëvendësguvernatorit të Bankës Qendrore të Bullgarisë dhe atë të kryeministrit të përkohshëm në fillim të vitit 2026.

Gjatë drejtimit të qeverisë, ai nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi për sigurinë me Kievin dhe ka shprehur vazhdimisht mbështetje për Ukrainën.

Pas raundit të parë, Gjurov deklaroi se Bullgaria ndodhet përpara një zgjedhjeje “mes dy personaliteteve, dy drejtimeve dhe dy mënyrave të ushtrimit të kompetencave presidenciale”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›