E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-ministri Beqaj për Kodin e Procedurës Penale: Duhet të detyrojë pushtetin të respektojë ligjin kur vepron kundër qytetarit

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka reaguar publikisht përmes avokatit të tij, Ermal Yzeiraj, duke kërkuar rishikimin e disa dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, veçanërisht të neneve 128 dhe 128/a.

Në një deklaratë të gjatë, Beqaj vë në diskutim përdorimin e fjalës “shprehimisht” në nenin 128, e cila, sipas tij, mund të krijojë hapësirë që shkeljet procedurale të prokurorisë të mos sjellin pasoja juridike.

Ai sjell si shembull rastin kur prokuroria zgjat afatet e hetimit pa njoftuar personin nën hetim, duke i mohuar këtij të fundit mundësinë për ta kundërshtuar vendimin në kohën e duhur. Një tjetër rast që ngre Beqaj si shqetësim lidhet me rifillimin e hetimeve për një çështje të pushuar më parë, pa marrë paraprakisht miratimin e gjykatës, siç parashikohet në nenin 329/c të Kodit të Procedurës Penale.

Sipas tij, edhe pse në procesin e tij është konstatuar mosrespektimi i kësaj procedure, shkelja nuk është konsideruar me pasoja juridike mbi procesin. Beqaj thekson se nuk kërkon që çdo parregullsi procedurale të sjellë automatikisht pavlefshmërinë e hetimeve, por nënvizon se shkeljet e garancive themelore të qytetarëve duhet të kenë një përgjigje juridike efektive.

Për këtë arsye, ai propozon që në kuadër të ndryshimeve të ardhshme në Kodin e Procedurës Penale të përcaktohen më qartë pasojat e shkeljeve procedurale dhe rastet kur mungesa e kontrollit gjyqësor cenon të drejtat e qytetarëve.

Ish-ministri Beqaj po gjykohet për akuzat e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën dhe grup i strukturuar kriminal. Nga ana tjetër 8 të pandehurit e tjerë, përfshirë ish-zv/ministrin Klodian Rjepaj dhe biznesmenin që fitoi koncensionin, Ilir Rrapaj, janë dënuar në proces më vete me gjykim të shkurtuar.  Rrjepajt dhe Rrapajt u është rrëzuar nga gjykata akuza e grupit të strukturuar kriminal.

Beqaj është nën masën e arrestit shtëpiak për dosjen 'SASPAC' pas përfundimit të afateve të paraburgimit për dosje ende në hetim, gjë që çoi në vendimmarrje të gjykatës për lirimin e tij nga qelia.

Reagimi i avokatit Ermal Yzeiraj:

Në cilësinë e përfaqësuesit të z. Ilir Beqaj dhe me porosi të tij, më poshtë deklarata e tij publike:

---------------------------------------------------------------------

(pa)Rëndësia e fjalës “SHPREHIMISHT”!

Ilir Beqaj

Ka një fjalë të vogël në Kodin e Procedurës Penale që mund të bëjë një ndryshim shumë të madh në jetën e një njeriu që përballet me drejtësinë.

Fjala është ndajfolja “shprehimisht”.

Duket e parëndësishme. Një nga ato fjalët që juristët i përdorin dhe qytetarët zakonisht i kalojnë pa i vënë re. Por kjo fjalë mund të vendosë nëse një shkelje e ligjit nga prokuroria do të ketë pasoja apo do të kalojë sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Dhe këtu fillon problemi.

Në Shqipëri, Kodi i Procedurës Penale thotë se rregullat e tij janë të detyrueshme për të gjithë. Për qytetarët, për avokatët, për prokurorët dhe për gjyqtarët. Këtë e thotë neni 2.

Por, në një nen tjetër, neni 128, Kodi thotë se aktet procedurale janë të pavlefshme vetëm në rastet kur kjo parashikohet shprehimisht. Në mars të vitit 2017, kur u bënë ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale në kuadër të Reformës në Drejtësi, një mendje e stërhollë, me një dorë mikrokirurgjikale, e shtoi ndajfoljen “shprehimisht” në nenin 128 të Kodit të Procedurës Penale.

Pra, me fjalë të thjeshta, mund të ndodhë që prokurori të mos zbatojë një detyrim të shkruar qartë në ligj dhe, megjithatë, veprimet e tij të vazhdojnë të prodhojnë efekte.

Sepse ligji nuk ka shkruar, po aq qartë, se çfarë ndodh nëse ky detyrim shkelet.

Ky është paradoksi që dua të diskutoj.

Si mund të jetë një ligj i detyrueshëm, kur moszbatimi i tij mund të mbetet pa asnjë pasojë?

Nuk jam jurist. Nuk pretendoj t'u mësoj gjyqtarëve apo prokurorëve si ta interpretojnë Kodin. Por, si qytetar që është përballur me funksionimin e sistemit penal, besoj se kam të drejtën të shtroj disa pyetje.

Dhe do t'i shtroj duke treguar dy raste konkrete.

1. Kur prokuroria nuk të njofton, por fajin e ke ti që nuk u ankove

Imagjinoni një qytetar ndaj të cilit po zhvillohen hetime penale.

Ligji i jep prokurorisë një afat për t'i kryer hetimet. Nëse nuk mjafton, prokuroria mund të vendosë zgjatjen e tij sipas kushteve ligjore.

Por ligji vendos edhe një detyrim tjetër. Vendimi i zgjatjes duhet t'i njoftohet personit që po hetohet.

Pse? Sepse ai ka të drejtë ta kundërshtojë këtë vendim në gjykatë.

Pra, ligji nuk i thotë vetëm prokurorit se mund t'i zgjasë hetimet. I thotë edhe se duhet të njoftojë personin, që ky i fundit të ketë mundësi të kërkojë kontrollin e gjykatës.

Tani imagjinoni këtë situatë. Prokuroria i zgjat hetimet, por nuk e njofton personin. Hetimet vazhdojnë. Koha kalon. Provat mblidhen. Dhe vetëm kur hetimet kanë përfunduar, personi merr dijeni se ato ishin zgjatur.

Ai kundërshton mosnjoftimin. Dhe përgjigjja e prokurorisë, sipas një arsyetimi të dhënë në procesin tim, është në thelb kjo: “Ti e more vesh në fund se hetimet ishin zgjatur. Meqë nuk e ankimove vendimin, mosnjoftimi në kohë nuk i bën të pavlefshme provat.”

E kuptoni çfarë ndodh?

Prokuroria kishte detyrimin të më njoftonte, që unë të kisha mundësinë ta kundërshtoja zgjatjen e hetimeve ndërsa ato po zhvilloheshin.

Nuk më njoftoi. Dhe kur unë kundërshtoj këtë shkelje, më thuhet se nuk jam ankuar.

Pra, ai që kishte detyrimin të më njoftonte nuk e zbatoi ligjin, ndërsa unë duhet të mbaj pasojat e faktit që nuk ushtrova në kohë një të drejtë për të cilën nuk isha njoftuar.

Por për çfarë të ankohesha, kur vendimin nuk ma kishin njoftuar? Dhe çfarë kuptimi ka ankimi pasi hetimet kanë përfunduar, nëse qëllimi i tij ishte të kontrollonte në kohë nëse ato duhej të vazhdonin?

Sigurisht, kjo nuk do të thotë se çdo provë e marrë gjatë një zgjatjeje të panjoftuar duhet të jetë automatikisht e pavlefshme apo e papërdorshme.

Por kjo do të thotë se gjykata duhet t'i përgjigjet një pyetjeje konkrete: çfarë ndodh me të drejtën që qytetari nuk pati mundësi ta ushtronte në kohën e duhur? Sepse një e drejtë që mund ta ushtrosh vetëm pasi e ka humbur qëllimin e saj, rrezikon të mbetet një e drejtë vetëm në letër.

2. Kur prokuroria rihap një çështje që vetëm gjykata mund ta rihapë

Rasti i dytë është edhe më domethënës.

Imagjinoni që ndaj një personi është zhvilluar një hetim penal. Prokuroria e ka shqyrtuar çështjen dhe ka vendosur pushimin e saj. Vendimi i pushimit është bërë përfundimtar.

Më vonë, një prokurori tjetër vendos të hetojë sërish të njëjtin fakt.

A mund ta bëjë? Ligji parashikon një procedurë. Sipas nenit 329/c të Kodit të Procedurës Penale, kur plotësohen kushtet ligjore për rihapjen e një çështjeje të pushuar, prokuroria duhet t'i drejtohet gjykatës për revokimin e vendimit të pushimit.

Gjykata shqyrton kërkesën. Nëse e pranon, revokon vendimin e pushimit dhe ia kthen aktet prokurorit për rifillimin e hetimeve.

Kjo procedurë ka një arsye. Ajo nuk lejon që një prokuror të vendosë vetë, pa kontroll gjyqësor, se një vendim përfundimtar pushimi nuk ka më vlerë.

Por çfarë ndodh kur prokuroria nuk i drejtohet gjykatës dhe rifillon hetimet?

Në një çështje konkrete që lidhet me procesin tim, gjykata ka pranuar se bëhej fjalë për një fakt të hetuar më parë, për të cilin ekzistonte një vendim përfundimtar pushimi. Ka pranuar gjithashtu se Prokuroria e Posaçme duhej t'i drejtohej gjykatës sipas nenit 329/c. Ka konstatuar se kjo procedurë nuk është ndjekur.

Deri këtu, duket se gjithçka është e qartë.

Por pastaj vjen pjesa që, për mua, e bën të domosdoshëm këtë debat.

Gjykata arsyeton se, megjithëse procedura nuk është respektuar, ligji nuk parashikon ndonjë pasojë juridike për këtë mosrespektim. Dhe, për këtë arsye, shkelja nuk sjell pasoja mbi procesin.

Pra, gjykata pranon se ligji kërkonte një vendim gjyqësor. Pranon se ky vendim nuk ekziston. Por, megjithatë, hetimet e rifilluara vazhdojnë të trajtohen si të afta për të prodhuar efekte.

Atëherë kam një pyetje të thjeshtë. Kush e revokoi vendimin e pushimit? Gjykata jo. Nëse gjykata nuk e revokoi, mbi çfarë baze juridike u rifilluan hetimet? Dhe nëse prokurori mund t'i rifillojë hetimet pa vendimin që kërkon ligji, përse është parashikuar detyrimi në nenin 329/c të KPrP për t'iu drejtuar gjykatës?

Për zbukurim?

Për të pasur një nen më shumë në Kod?

Apo për t'u respektuar vetëm kur prokuroria dëshiron?

Unë nuk besoj se ligjvënësi e ka parashikuar kontrollin gjyqësor si një sugjerim miqësor për prokurorin. E ka parashikuar si garanci.

Dhe kur një shmangie bëhet pa asnjë pasojë, e humbet kuptimin e saj.

Problemi nuk është vetëm çfarë bën prokuroria. Është çfarë pranon gjykata.

Në të dyja rastet që përmenda, problemi është i ngjashëm.

Në rastin e parë, prokuroria nuk përmbush detyrimin për njoftim, duke penguar kontrollin gjyqësor në kohën kur ai duhej të ushtrohej.

Në rastin e dytë, prokuroria rifillon hetimet pa marrë më parë vendimin gjyqësor që kërkon ligji.

Këto nuk janë situata juridikisht identike dhe nuk duhet të kenë domosdoshmërisht të njëjtat pasoja.

Por kanë diçka të përbashkët.

Në të dyja rastet, kontrolli i gjykatës nuk realizohet në momentin që parashikon ligji, ndërsa veprimtaria e prokurorisë vazhdon të prodhojë efekte.

Dhe këtu qëndron shqetësimi im më i madh.

Sepse atëherë nuk kemi të bëjmë thjesht me një shkelje nga prokurori.

Kemi të bëjmë me një mënyrë interpretimi të ligjit që mund ta bëjë atë shkelje praktikisht të parëndësishme.

Nuk po them se çdo gabim i prokurorit duhet të rrëzojë një proces penal.

Nuk po kërkoj që një gabim teknik, një pasaktësi apo një parregullsi e korrigjueshme të zhvlerësojë automatikisht hetimet.

Por ka një ndryshim të madh ndërmjet një gabimi formal dhe anashkalimit të një garancie që ligji e ka vendosur për të mbrojtur qytetarin nga ushtrimi i pakontrolluar i pushtetit penal.

Dhe këto dy gjëra nuk mund të trajtohen njësoj.

Ligji nuk mund të jetë detyrues vetëm për qytetarin

Mendoj se këtu duhet të fillojë debati për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale.

Nëse qytetari nuk respekton një detyrim procedural, ai mund të humbasë një afat, një mundësi ankimi apo një të drejtë të caktuar.

Po kur prokuroria nuk respekton detyrimet që ligji i ka vendosur pikërisht për të mbrojtur atë qytetar?

A duhet të mjaftojë përgjigjja se ligji nuk ka parashikuar shprehimisht një sanksion?

Unë besoj se jo.

Një gjë duhet të jetë e qartë: mungesa e një parashikimi të shprehur për pavlefshmërinë nuk do të thotë se veprimi i paligjshëm bëhet i ligjshëm.

Pavlefshmëria është vetëm një nga pasojat e mundshme juridike.

Mund të ketë raste kur duhet të korrigjohet veprimi, raste kur duhet të rivendoset një e drejtë, raste kur një provë nuk mund të përdoret dhe raste kur mungesa e një vendimi gjyqësor pengon vetë vazhdimin e procedimit.

Këto dallime duhet t'i bëjë ligji dhe duhet t'i zbatojë gjykata.

Sepse detyrimi për të respektuar procedurën penale nuk mund të jetë më i fortë për qytetarin sesa për institucionet që e zbatojnë atë.

Një fjalë e vogël që meriton një debat të madh.

Në vitin 2017, me ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale, neni 128 mori formulimin sipas të cilit aktet procedurale janë të pavlefshme vetëm në rastet e parashikuara shprehimisht nga Kodi. Kjo formulë ka një qëllim të kuptueshëm: të shmangë anulimin arbitrar të akteve procedurale dhe t'u japë siguri juridike palëve.

Por siguria juridike nuk mund të jetë siguri vetëm për organin e akuzës se veprimet e tij do të mbeten në fuqi edhe kur nuk respekton garancitë thelbësore të procesit.

Ajo duhet të jetë, para së gjithash, siguri për qytetarin se ligji do ta mbrojë edhe përballë prokurorisë.

Prandaj mendoj se, në kuadër të ndryshimeve që po përgatiten në Kodin e Procedurës Penale, duhet të rishikohen së bashku nenet 128 dhe 128/a.

Duhet të përcaktohet më qartë se çfarë ndodh kur cenohet një garanci thelbësore procedurale; kur mungon një vendim gjyqësor i kërkuar nga ligji; kur qytetarit i mohohet mundësia e kontrollit gjyqësor në kohën e duhur; dhe si mund të korrigjohen këto shkelje.

Propozoj që shkeljet e rëndësishme të mos mbeten pa një përgjigje juridike efektive.

Kjo nuk është një çështje që i përket vetëm procesit tim.

Sot mund t'i ndodhë një ish-funksionari të lartë. Nesër mund t'i ndodhë një sipërmarrësi, një nëpunësi, një gazetari apo një qytetari që nuk ka as mundësinë dhe as mjetet për të përballuar një proces të gjatë penal.

Sepse ligji procedural nuk është shkruar për t'ia lehtësuar punën prokurorisë.

Është shkruar për të përcaktuar se si ushtrohet pushteti i saj dhe ku janë kufijtë e tij.

Dhe nëse këta kufij mund të shkelen pa pasoja, atëherë lind një pyetje që duhet të na shqetësojë të gjithëve:

Për çfarë na duhet një ligj që thotë se duhet respektuar, nëse institucionet mund të mos e respektojnë dhe të vazhdojnë sikur asgjë nuk ka ndodhur?

Drejtësia nuk matet vetëm me aftësinë për të ndëshkuar ata që shkelin ligjin.

Ajo matet edhe me aftësinë për ta detyruar pushtetin që ta respektojë ligjin kur vepron kundër qytetarit.

Sepse ndryshe nuk kemi më një procedurë që kufizon pushtetin.

Kemi një pushtet që vendos vetë se sa rëndësi ka procedura.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›