E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bullizmi digjital, Hazizaj: Çdo javë mbyllen 12 profile abuzive, propozuam shtimin e 20 neneve në Kodin e ri Penal

Bullizmi online dhe ai në shkolla po merr gjithnjë e më shumë përmasa të gjera në Shqipëri, ndërsa të miturit e adoleshentët po përballen dita-ditës me dhunën digjitale dhe rrezikun e shëndetit mendor.

Në një lidhje live me emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri”, avokati Altin Hazizaj, drejtues i CRCA/ECPAT në Shqipëri, vuri theksin te nevoja për masa urgjente, përfshi këtu ndryshimet që duhet të pësojë legjislacioni ynë me qëllim goditjen e bullizmit digjital. Në këtë kuadër, ai bëri me dije se në Kodin e ri Penal janë propozuar 20 nene të reja për adresimin e kësaj problematike.

“Nisma më e rëndësishme është Kodi i ri Penal. Po diskutojmë e rishikojmë në detaj Kodin Penal. Ka nevojë që shumë aspekte negative në jetën digjitale të kthehen në vepra penale si në çdo vend të BE. Kemi bërë rekomandime për 20 nene që të bëhen pjesë e Kodit të ri Penal.

Në nivelin e BE po diskutohet prej vitesh është thuajse në finalizim, një akt i ri që mbron shfrytëzimin seksual të fëmijëve në hapësirën digjitale. Është duke u diskutuar po në nivel të BE si do trajtohet bullizmi kibernetik. Në këto dy aspekte shumë shpejt, do kemi ligje të reja në Shqipëri që do e bëjë mbrojtjen e fëmijëve online më të sigurt”,  tha Hazizaj.

Sipas tij, vetëm gjatë vitit 2024 janë identifikuar 407 raste serioze të bullizmit online, përmes faqeve, profileve dhe mesazheve që përhapin urrejtje, denigrim dhe kërcënime ndaj të miturve. Hazizaj theksoi se çdo javë, në bashkëpunim me kompani globale të internetit, mbyllen mesatarisht 12 profile apo faqe abuzive.

“Javën e kaluar u mbyll një grup në një platformë, ku mbi 32 mijë persona nga Shqipëria dhe Kosova shpërndanin imazhe të vajzave dhe grave shqiptare me përmbajtje abuzive”, shtoi ai.

Hazizaj theksoi se bullizmi nuk është më një fenomen i mbyllur brenda mureve të shkollës, por një realitet që ndodh në çdo hapësirë të jetës së të rinjve, përfshirë rrjetet sociale, mesazhet private dhe grupet e mbyllura digjitale.

“Tashmë përgjegjësia ka kaluar te të gjithë ne. Nuk është më përgjegjësia e shkollës, por shoh problem të madh me familjen me prindin. Ngjarjet e fundit kanë qenë të rënda. Nisin me bullizim e kalojnë më pas përball një realiteti ku hapësira digjitale nuk është më e sigurt për fëmijët.

Faktet jetësore me të cilat përballen në jetën e përditshme, duke mos pasur edhe mbështetjen e prindërve e shkollës, presionet shoqërore i nxjerrin duke denigruar, fyer njëri-tjetrin. Por kemi dhe forma ekstreme, kur fëmijët kanë tendencën të lëndojnë personin tjetër apo edhe vetë veten. Ajo që sot e gjithë bota po zhvillon, në BE dhe Amerikë, partnerët prind-mësues,-psikolog-organizata të shoqërisë civile dhe vetë fëmijët, janë bërë bashkë për të gjetur një zgjidhje dhe për ta kthyer hapësirën kibernetike në një hapësirë të sigurt për këdo”, u shpreh Hazizaj.

Ai nënvizoi se mungesa e mbështetjes familjare dhe shoqërore shpesh çon fëmijët drejt sjelljeve autodestruktive apo dhunuese ndaj të tjerëve.

Në përfundim të fjalës së tij, Hazizaj bëri me dije se CRCA ka nisur një program të ri edukimi për fëmijët dhe adoleshentët, që ka për qëllim ndërgjegjësimin për sigurinë në internet dhe rolin aktiv që ata mund të luajnë në ndërtimin e një hapësire digjitale pozitive.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›